Sekretari amerikan i Shëndetësisë Aleks Azar tha të premten se Shtetet e Bashkuara do të përdorin kompetenca të veçanta për të rritur prodhimin e maskave, dorezave, veshjeve speciale dhe artikujve të tjerë për të luftuar koronavirusin. Komentet vijnë në një kohë që administrata e Presidentit Trump po kritikohet nga demokratët lidhur me reagimin e saj ndaj krizës.
Ndërkohë që është shtuar numri i vendeve që raportojnë për infeksione të reja, kompanitë kanë filluar të kufizojnë udhëtimet e punonjësve dhe tregjet globale të aksioneve janë në rënie të lirë, zyrtarët amerikanë të shëndetësisë po nxitojnë të marrin masa në rast se në SHBA ndodh një shpërthim i koronavirusit. “Do të përdorim Ligjin e Prodhimit të Mbrojtjes për të bërë të mundur që kontratat tona të marrin përparësi,” tha zoti Azar tha në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë. “Ky është një autoritet që ne e kemi dhe ne do ta përdorim atë për të blerë gjithçka na nevojitet të blejmë,” tha ai.”
KORONAVIRUSI VAZHDON PËRHAPJEN NË BOTË
Përhapja e shpejtë e koronavirusit e ka shtuar frikën e një pandemie. Të premten, gjashtë vende raportuan rastet e tyre të para ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë e rriti në “shumë të lartë” rrezikun që koronavirusi të përhapet në shkallë globale. Në Itali, katër njerëz të tjerë kanë humbur jetën nga koronavirusi, tha të premten agjencia e mbrojtjes civile, duke e çuar në 21 numrin e vdekjeve, ndërsa numri i atyre që janë testuar pozitivë për sëmundjen u rrit në 821, nga 650 që ishte një ditë më parë.
Gjermania paralajmëroi për një epidemi të afërt ndërsa Greqia, një portë hyrjeje për refugjatët nga Lindja e Mesme, njoftoi kontrolle më të forta kufijsh. Gjermania ka gati 60 raste, Franca rreth 38 dhe Spanja 23, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
LOMBARDIA, RAJONI MË I PREKUR NË EVROPË
Në Itali, rajoni verior i Lombardisë njoftoi të premten se do të zgjaste masat e urgjencës të miratuara javën e kaluar për të frenuar shpërthimin e koronavirusit, më i rëndi në Evropë, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara u rrit. Duke paralajmëruar se sistemi shëndetësor mund të zhytej në kaos nëse virusi përhapet me shpejtësi, Lombardia i kërkoi qeverisë të vazhdojë masat kufizuese edhe për një javë, duke përfshirë mbylljen e shkollave dhe ndalimin e tubimeve publike.
“Kjo nuk është … një situatë që mund të zgjidhet lehtë,” tha Massimo Galli, kreu i departamentit të sëmundjeve infektive në spitalin e Sacco të Milanos, në një konferencë shtypi së bashku me drejtuesit rajonalë. Duke nënvizuar vështirësitë me të cilat përballet vendi, zyrtarët thanë se numri i rasteve të konfirmuara është rritur në 888 nga 650 që ishte të enjten, nga të cilët 21 kanë vdekur.
Përhapja filloi javën e kaluar 60 km nga kryeqyteti financiar i Italisë, Milano. Autoritetet identifikuan një grup qytetesh në Lombardi dhe një zonë më të vogël në rajonin fqinj të Venetos si epiqendrën e shpërthimit dhe vendosën 50,000 banorë nën karantinë. Ata zbatuan gjithashtu masa të përgjithshme shtrënguese në pjesën më të madhe të veriut të pasur, duke urdhëruar mbylljen e universiteteve, muzeve, teatrove dhe kinemave. Kjo ka çuar në një eksod të turistëve dhe udhëtarëve të biznesit, duke shkaktuar frikën e një recesioni të mundshëm.
Ndërsa dhimbja ekonomike është thelluar, qeveria është nën presion për të rikthyer një ndjenjë normaliteti por Lombardia paralajmëroi se nuk ka vend për vetëkënaqësi. “Nëse shpërthimi përhapet, spitalet do të përballen me një krizë serioze, jo vetëm për ata që kanë koronavirus, por për të gjithë pacientët,” thanë zyrtarët e rajoni në një deklaratë.
Ajo që i ka shtuar shqetësimet ishte se Lombardia njoftoi për një krizë të papritur në qytetin Lodi, afër epiqendrës së infeksionit dhe ku 51 persona që kishin nevojë për shtrim të menjëhershëm në spital. Agjensia e Mbrojtjes Civile tha se 345 nga të gjithë ata që kanë koronavirus janë në spital, nga të cilët 64 nën kujdes intensiv. Rreth 412 kishin pak ose aspak simptoma dhe janë në shtëpi, ndërsa 46 persona u deklaruan të rikuperuar plotësisht. Të gjithë ata që vdiqën ishin pacientë të moshuar, shumë prej tyre me probleme serioze shëndetësore.
Lombardia tha se mesatarisht çdo pacient infektonte dy persona të tjerë. Në zonën e prekur më rëndë, sëmundjen e kishte rreth 4% e popullsisë. Ndikimi ekonomik i krizës shëndetësore po ndihet në rajonet pak të prekura nga virusi. Federata e turizmit në Itali, Assoturismo, tha se deri në 90% të prenotimeve të hoteleve dhe agjencive të udhëtimit ishin anuluar në Romë dhe deri në 80% në Siçili për muajin mars. “Turizmi italian kurrë nuk ka përjetuar një krizë të kësaj shkalle. Ky është momenti më i errët, madje as 11 shtatori nuk e goditi biznesin tonë kaq shumë”, tha shefi i Assoturismo-s, Vittorio Messina./VOA
Top Channel