Kongresi i PS, Etilda Gjonaj: Reforma në Drejtësi revolucion, është misioni ynë

29/02/2020 18:07

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e ka konsideruar si një revolucion Reformën në Drejtësi e cila po aplikohet prej disa kohësh tashmë.

Teksa mbajti një fjalim ne Kongresin Zgjedhor të PS ka thënë se të gjithë ata që janë mësuar të mbyllin kapakët e dosjeve pa i shqyrtuar tashmë duhet ta harrojnë këtë.

Gjonaj ka shtuar se Reforma në drejtësi është ende në kantier dhe ende nuk ka dhënë shumë prej fryteve të saj. Por sipas saj janë këto fryte të para që kanë tkurrur krimin e organizuar dhe kanë nxjerrë jashtë kontrollit gjuhën e politikës së vjetër.

Fjala e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj në Kongresin Zgjedhor 2020: 

Të nderuara delegate dhe të nderuar delegatë të këtij Kongresi të Socialistëve,

Eshtë nder dhe privilegj për mua, të marr fjalën në këtë forum të lartë të familjes sonë politike. E falenderoj Sekretarin e Përgjithshëm dhe ekipin e organizimit, për këtë mundësi të veçantë. Kjo është një mundësi e veçantë, sepse e veçantë është për Shqipërinë, për Partinë Socialiste, po edhe për mua vetë, beteja krejt e veçantë për Reformën në Drejtësi! Dhe është nder dhe privilegj i madh, që unë të jem sot në një pikë kyçe të frontit të luftës për jetësimin e kësaj reforme. Fjala luftë ka vërtetë një peshë të rëndë, por e tillë është beteja jonë me të keqen e rrënjosur thellë prej kaq shumë vitesh në zemrën e sistemit demokratik, që është drejtësia. Rruga ime për të ardhur deri këtu përpara jush sot, ka nisur kur nisi të diskutohej për Reformën në Drejtësi. Kam ofruar kontributin tim si eksperte pa asnjë mëdyshje, por nuk e fsheh dot që nuk e kam besuar atëherë se do të gjendej jo vetëm vullneti i hekurt, po edhe shtigjet për të çarë rrugën e kthimit në realitet të një gjeje kaq të vështirë, që prej 25 vjetësh kishte mbetur një togfjalësh bosh në retorikën politike: Reformimin e Drejtësisë.

Nuk e harroj kur kryeministri Rama ne maj të vitit 2017 me propozoi të merrja detyrën e zv.ministres së drejtësisë në qeverinë e përbashkët me Partinë Demokratike i cili më tha: E di që do më thuash jo, por mos e thuaj pa e menduar. Ti je pjesë e atyre që i kanë hyrë detit në këmbë për të reformuar drejtësinë. Ky është momenti që të thuash po, jo t’i shmangesh kësaj përgjegjësie të re!

Por koha në atë moment e kishte treguar se kryeministri dhe Partia Socialiste nuk kishin ndermënd t’i shmangeshin apo ti benin bisht, nje sfidë kaq të madhe që e mban, për fat të keq, posaçërisht të trazuar politikën në Shqipëri! Dhe pavarësisht të gjitha peripecive, përfshirë edhe ato që krijohen brenda shpirtit e brenda familjes, nga bombardimet me baltë të armiqve te Reformës në Drejtësi, sikur njeqind herë të kthehesha mbrapsht, po njëqind herë do i bashkohesha këtij fronti.

Sikur njëqind herë më shume baltë dhe propagandë të zezë të më duhet të duroj, mbi vete e mbi familjen time, njëqind herë me shumë do t’i them vetes dhe të gjithëve: Po, padiskutim, kjo luftë i’a vlen, duhet bërë deri në fund dhe do të bëhet sepse është një luftë për Shqipërinë, për qytetarët e këtij vendi, për të ardhmen e fëmijëve tanë!

Ta harrojnë ata që janë mësuar të mbyllin kapakët e dosjeve të zullumeve të tyre në kurriz të Shqipërisë e të qytetarëve shqiptare, se e thyejnë dot vullnetin e kësaj force të madhe që quhet Partia Socialiste, për ta bërë Shqipërine Evropiane duke e bërë drejtësinë të barabartë për të gjithë!

Ta harrojnë ata që kërcënojnë dhe shantazhojnë ne emër të Reformës në drejtësi deri edhe aleatet tanë strategjike, se e pengojnë dot partneritetin tonë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, ta bëjë realitet çdo ligj dhe çdo nen që Parlamenti ka miratuar për ta pastruar deri në fund të keqen në sistemin e drejtësisë shqiptare!

Te dashur miq, Reforma në drejtësi është ende në kantier, siç e quan kryeministri shpesh procesin e ndërtimit të sistemit të ri. Ajo ende nuk ka dhënë shumë prej fryteve të saj. Por janë këto fryte të para që kanë tkurrur krimin e organizuar dhe kanë nxjerrë jashtë kontrollit gjuhën e politikës së vjetër. Sot, falë këtij investimi të jashtëzakonshëm, vetë populli shqiptar po fillon të marrë në dorë armën ligjore si çdo shtetas tjetër europian, për mbrojtjen e lirive e të drejtave themelore të tij, rikthimin e besimit tek shteti i së drejtës, rritjen e transparencës, si dhe luftën pa kompromis kundër korrupsionit.

E gjithë kjo vepër unikale që kemi ngritur bashkërisht për forcimin e sistemit të drejtësisë, është kontributi më i madh dhe do të përbëjë një vlerë në vite si dëshmia më e plotë e vullnetit për prirjen shtetformuese të Partisë socialiste.

Përmbyllja e procesit te krijimit të institucioneve te reja, vënia në funksion të plotë e gjykatave të larta të pastruara nga llumi, si edhe konsolidimi në vijimësi i rezultateve të zbatimit të reformës në drejtësi do të bëjne që mandati tjetër për Partinë socialiste, të jetë koha e re e futjes në veprim të një drejtësie Evropiane. Shqiptarët duhet ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë deri në fund, se e vetmja garanci që ata të shohin më në fund dritën e drejtësisë, jemi ne, Partia Socialiste ! E vetmja garanci për çdo qytetar, socialist apo demokrat, që do të jetojë me familjen e tij në një vend ku drejtësia nuk është më në doren e të fortëve, po është vete forca e ligjit, jemi ne, Partia Socialiste!

Duke ju falenderuar për këtë moment kaq të veçante të karrierës sime në këtë foltore, po e mbyll me një frazë nga trashëgimia që na ka lënë patriarku i Partisë Socialiste, Dritëro Agolli, dy ditë përpara miratimit të ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi: Citoj: “Kam dëgjuar se mbi 90% e popullit e do këtë reformë dhe e mbështet atë. Unë e besoj këtë shifër që jepet. E kur ke popullin me vete beteja është e fituar. Është revolucion”…

E pra, të dashur miq ky revolucion është misioni ynë dhe kush do të tentojë ta ndalë, do të marrë përsëri e përsëri, shuplakën e popullit! Faleminderit !

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA