Iran/ Koronavirusi prek 4 zyrtarë, anullohet falja e të premtes

29/02/2020 11:32

Katër ligjvënës iranianë janë infektuar me koronavirusin e ri, teksa ky virus po përhapet me shpejtësi në Iran, duke detyruar autoritetet që të anulojnë mbajtjen e Lutjeve të së Premtes në shumë xhami në mbarë vendin. Mohammad Ali Vakili, anëtar i presidiumit parlamentar, tha përmes një postimi në Twitter se katër deputetë janë infektuar me koronavirusin e ri.

Disa zyrtarë të tjerë të lartë iranianë po ashtu janë infektuar me virusin, përfshirë edhe zëvendëspresidentin, Masoumeh Ebtekar. Njoftimi se katër deputetë janë infektuar me koronavirusin, vjen në kohën kur numri zyrtar i vdekjeve është rritur nga 8 në 34 vetëm në 24 orët e fundit. Ndërkaq, 388 persona të tjerë janë testuar pozitiv me koronavirusin e ri. Ky është bilanci që japin autoritetet, por shërbimi persian i BBC-së, duke cituar burime të tij, thotë se janë të paktën patën 210 të vdekur nga koronavirusi i ri. Ministria e Shëndetësisë në Iran i hodhi poshtë këto raportime.

Zyrtarët në Iran përballen me akuzat se po fshehin shkallën e vërtetë të përhapjes së koronavirusit në vend. Autoritetet anuluan Lutjet e së Premtes për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, teksa Ministria e Shëndetësisë rekomandoi që të gjitha ngjarjet publike, si dasmat dhe funeralet të mos mbahen. Shkollat dhe universitetet, por edhe kinematë, teatrot dhe sallat koncertale janë mbyllur gjithashtu. Deri më tani, 85 mijë persona janë infektuar nga koronavirusi nëpër botë, dhe mbi 2900 vetë kanë humbur jetën prej tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA