SHBA ka shprehur solidaritet me aleatin e saj të NATO-s, Turqinë, duke bërë thirrje për “përfundimin e menjëhershëm” të ofensivës së regjimit sirian të Bashar al-Asadit në rajonin veriperëndimor të Sirisë, Idlib, pas sulmeve vdekjeprurëse ndaj forcave turke.
“Ne qëndrojmë pranë aleatit tonë të NATO-s, Turqisë, dhe vazhdojmë të kërkojmë për përfundimin e menjëhershëm të kësaj ofensive të neveritshme nga regjimi i Asadit, Rusia dhe forcat e mbështetur nga Irani”, tha një zëdhënës i Departmentit amerikan të Shtetit, duke folur për AA në kushte anonimiteti. Më tej, zëdhënësi theksoi se “siç kanë thënë presidenti dhe sekretari, ne po shqyrtojmë opsionet se si mund ta mbështesim Turqinë më së miri në këtë krizë”.
Ndryshe, një zyrtar turk bëri të ditur se 33 ushtarë turq u martirizuan dhe 32 të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi ajror nga regjimi i Asadit në Idlib. Pas sulmit, siç informuan burime diplomatike, ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, realizoi një bisedë telefonike me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg. Në muajin shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia u pajtuan për ta kthyer Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara.
Megjithatë, që atëherë mbi 1.300 civilë janë vrarë nga sulmet e regjimit dhe forcave ruse në zonën e deeskalimit, pasi armëpushimi ka vazhduar të shkelet. Zona e deeskalimit aktualisht është shtëpi e katër milionë civilëve, përfshirë qindra mijëra të zhvendosur viteve të fundit nga forcat e regjimit në të gjithë vendin. Mbi 1,7 milion sirianë janë zhvendosur afër kufirit turk si pasojë e sulmeve intensive. Që nga shpërthimi i luftës së përgjakshme civile në Siri në vitin 2011, Turqia ka pranuar rreth 3,7 milionë sirianë që ikën nga vendi i tyre, duke e bërë atë vendin me më shumë refugjatë në botë./AA
Top Channel