Organizata botërore e shëndetësisë e ka ngritur nivelin e rrezikut nga koronavirusi në “shumë të lartë”, e tani thotë se shumica, në mos të gjithë vendet e botës duhet të presin shpërthim të epidemisë. Situata e koronavirusit “po përkeqësohet”, deklaroi OBSH-ja, pasi Nigeria konfirmoi rastin e parë në Afrikën Nën-Sahariane.
Zëdhënësi Christian Lindmeier tha për gazetarët në Gjenevë se organizata po rishqyrton dhe raportet për disa persona të riinfektuar me koronavirus. Megjithatë, shtoi ai, një person, i cili ka pasur koronavirus, “do të duhej të ishte imun së paku për një farë kohe”. Koronavirusi, i identifikuar si COVID-19, e ka origjinën në qytetin Vuhan të Kinës. Rastet e para atje u shfaqën dhjetorin e vitit të kaluar, por që atëherë dhjetëra shtete të botës kanë konfirmuar se kanë njerëz të infektuar.
Koronavirusi u bë shkas për ndalimin e hyrjeve në Mekë e Medina. Shifrat e fundit, të raportuara nga autoritetet shëndetësore të secilës qeveri të premten në Pekin, tregojnë se koronavirusi ka infektuar mbi 83,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa mbi 2,800 pacientë kanë vdekur.Numri më i madh i rasteve është në Kinë, ndërsa pas saj vijnë Koreja e Jugut, Japonia, Italia, Irani, Singapori e të tjera.
Koronavirusi ka simptoma të ngjashme me pneumoninë. Shenjat kryesore të infeksionit janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
Top Channel