22 emigrantë vdesin afër Greqisë/ Humbën jetën pas gjashtë ditësh në det pa ushqim, ishin nisur nga Libia
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka nxjerrë një dekret që përcakton 26 shkurtin, ditë përkujtimore për të shënuar aneksimin e rajonit të Krimesë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2014.
Rusia mori gadishullin e Detit të Zi në mars 2014 pasi dërgoi trupa dhe organizoi një referendum që konsiderohet i paligjshëm nga të paktën 100 vende. Në prill të atij viti, Rusia dha mbështetjen e saj për separatistët e armatosur në Ukrainën lindore, ku më shumë se 13,000 njerëz janë vrarë nga konflikti që ende vazhdon.
26 shkurti u caktua Dita e Rezistencës ndaj Pushtimit të Krimesë dhe Sevastopolit, sepse në atë ditë në vitin 2014 ukrainasit zhvilluan protestën më të madhe në kryeqytetin e Krimesë, Simferopol, kundër ndërhyrjes së Rusisë në gadishull pas rrëzimit të Presidentit Viktor Janukoviç, thuhet në një deklaratë nga zyra e presidentit Zelenskiy.
Zelenskiy tha gjithashtu se kthimi i Krimesë në Ukrainë nuk ishte vetëm qëllimi i tij si udhëheqësi i vendit, por edhe qëndrimi i tij personal si qytetar ukrainas. Zelenskiy tha se Ukraina kishte mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare në luftën e saj për të rikthyer Krimenë. “Ne e dimë se kjo ditë është e sigurtë se do të vijë,” u citua të thoshte Zelenskiy. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se masa e Zelenskiy “nuk korrespondon me situatën reale rreth Krimesë”, duke shtuar se Moska “kategorikisht” nuk pajtohet me formulimin e dekretit të Zelenskiyt.
Një ditë më parë, Presidenti amerikan Donald Trump zgjati për një vit një seri sanksionesh të vendosura më parë ndaj Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë, në veçanti, aneksimin me forcë të Krimesë dhe destabilizimin e mëtejshëm të vendit. Urdhri ekzekutiv i Trump u nënshkrua mëë 25 shkurt dhe përfshin një paketë të sanksioneve që janë zgjeruar me kalimin e kohës që nga 6 mars 2014.
Ato u prezantuan për herë të parë nga administrata e ish-presidentit Barack Obama dhe u zgjeruan edhe tre herë më shumë në vitin 2014, si dhe në 2018-ën. Urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump thotë se veprimet e Rusisë, përfshirë “aneksimin e saj të Krimesë dhe përdorimin e forcës në Ukrainë … minojnë proceset dhe institucionet demokratike në Ukrainë; kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial; dhe kontribuojnë në përvetësimin e pasurive”.
Për të “trajtuar këtë emergjencë”, “sanksionet” duhet të vazhdojnë të mbeten në fuqi përtej 6 marsit 2020 “, thuhet në urdhrin ekzekutiv./VOA
Top Channel