Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Uashingtoni “nuk i njeh dhe nuk do t’i njohë kurrë” pretendimet e Moskës ndaj rajonit ukrainas të Krimesë.
Pompeo tha se “27 shkurti shënon përvjetorin e gjashtë të përpjekjes së Rusisë për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë”, por, shtoi ai, “Shtetet e Bashkuara konfirmojnë: Krimeja është Ukrainë”.
“Siç nënvizohet në Deklaratën tonë për Krimenë, të korrikut të vitit 2018, Shtetet e Bashkuara nuk i njohin dhe nuk do t’i njohin kurrë pretendimet e Rusisë mbi sovranitetin e gadishullit. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që t’i japë fund pushtimit të Krimesë”, tha Pompeo.
“Edhe gjashtë vjet më vonë, Rusia vazhdon të mbështetet në gënjeshtra dhe dezinformata, në përpjekjet e saj të dështuara për të legjitimuar të paligjshmen. Përpjekjet e saj do të dështojnë”, tha Pompeo.
Ai shtoi se bota nuk do ta harrojë kurrë “pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës”.
Rusia ka aneksuar Krimenë në mars të vitit 2014, pasi ka dërguar trupa atje dhe ka organizuar një referendum, i cili është konsideruar i paligjshëm nga së paku 100 vende të botës. Në prill të atij viti, Rusia ka nisur mbështetjen edhe për separatistët e armatosur në rajonet lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk.
Nga konflikti i vazhdueshëm midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë, mbi 13,000 njerëz janë vrarë./REL
Top Channel