Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca, tha se në Turqi ende nuk është regjistruar ndonjë rast i konfirmuar i koronavirusit, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë kurrë raste. Koca komentoi edhe kthimin e shtetasve turq nga Irani, ku tha: “Lehtësisht mund të themi se asnjë nga rezultatet e udhëtarëve tanë nuk është pozitiv (për koronavirus), ata janë të gjithë negativë.”
Dje, 132 shtetas turq kanë arritur në Ankara pasi ishin evakuuar nga Irani, ku janë konfirmuar 15 raste të vdekjes nga koronavirusi. Koca tha se udhëtarët turq që vijnë në Turqi nga qytetet Mashhad dhe Qom të Iranit, që janë epiqendra të virusit, janë në karantinë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit brenda vendit.
Ai shtoi se Turqia ka krijuar spitale të terrenit në kufirin e saj me Iranin. Irani ka raportuar 95 raste të konfirmuara të koronavirusit deri më tani, ndërsa Turqia ka mbyllur kufirin e saj, ka ndaluar kalimet hekurudhore dhe ka pezulluar shumicën e fluturimeve, përveç udhëtarëve turq që kthehen nga Teherani.
Virusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, ka shkaktuar alarm global, me Kinën, ku u zbulua rasti i parë, duke raportuar rreth 2.700 vdekje nga shpërthimi i sëmundjes. Përpos Kinës, virusi është përhapur në mbi 30 vende tjera, përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.
Pas përhapjes globale të virusit, OBSH shpalli shpërthimin si emergjencë ndërkombëtare shëndetësore./AA
Top Channel