Cakaj takon Komisionerin e Zgjerimit: Optimist për raportin e komisionit dhe hapjen e negociatave

27/02/2020 20:07

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një reagim në Facebook, bëri me dije se në Pragë, së bashku me Ministrat e Jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe Komisionerin e Zgjerimit, Várhelyi, veç të tjerash, biseduan edhe për rëndësinë e çeljes së negociatave me Shqipërinë gjatë këtij viti.

“Paraqitja e metodologjisë së re tashmë e ka bërë procesin e negocimit për anëtarësim më të besueshëm, më të parashikueshëm dhe më dinamik.”- theksoi Cakaj në postim.

Gjithashtu, Ministri në detyrë Cakaj shtoi se të gjithë pjesëmarrësit ndanë pikëpamjen se kjo qasje duhet t’i shtyjë vendet anëtare për të avancuar me çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë.

Për më tepër, brenda pak ditësh pritet të dalë edhe Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, për të treguar edhe njëherë se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE.

“Mbi këtë bazë, ne shpresojmë se vendet anëtare do të marrin një vendim pozitiv për fillimin e negociatave me Shqipërinë bazuar në të arriturat madhore të saj.” – përfundoi Cakaj postimin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA