Një vrasje e dyfishtë tronditi mbrëmjen e së martës, qytetin e Rrëshenit.
Motër e vëlla, Esmeralda dhe Vladison Filopati mbetën të vrarë në oborrin e shtëpisë së tyre, në Kodër Rrëshen, krim ky që u krye nga ish bashkëshorti i Esmeraldës, Fatmir Koleci.
Esmeralda dhe Vladisoni po ktheheshin nga qyteti i Rrëshenit, pasi Esmeralda punonte në një market dhe vëllai i saj kishte shkuar për ta marrë nga puna.
Autori i kësaj ngjarjeje, Fatmir Koleci, i ka bërë pritë në shtëpi ish bashkëshortes së tij dhe vëllait të saj.
Ai ka qëlluar ata me kallashnikov me breshëri, duke i lënë të vdekur në vend. Pra Autori Koleci, ka shkuar i përgatitur për të kryer këtë vrasje të dyfishtë, një vrasje me paramendim.
Koleci ishte prej tre vitesh i ndarë nga bashkëshortja e tij dhe kanë tre fëmijë, tre vajza se bashku, me e madhja në klasë të parë, dy të tjerat në kopsht.
Fatmir Koleci, ka qenë i dënuar më herët me 1 vit e tre muaj burg, por ka kryer vetëm 10 muaj për armëmbajtje pa leje dhe dhunë ndaj ish bashkëshortes së tij Esmeraldës. Kjo e fundit, viktimë e vrasjes së mbrëmshme, ka pasur edhe një urdhër mbrojtjeje nga policia.
Qe prej mbrëmjes se djeshme policia, se bashku me forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe ato Renea kanë filluar krehjen e zonës, pasi dyshimet janë që mbas vrasjes ai të jetë fshehur në zonat përreth fshatit.
Po ashtu policia ka përdorur edhe dron me qellim gjetjen e tij.
Nga ana tjetër, policia ka vënë në dispozicion 5 milionë lekë të reja për këdo qytetar që në kushtet e anonimatit do të jap informacion të vlefshëm për gjetjen Fatmir Kolecit.
Për Top Channel, nga Kodër Rrësheni, Andi Bora
Top Channel