Kapshticë- Përhapja e koronavirusit të ri në europë dhe konfirmimi zyrtar i rastit të parë në shtetin grek ka bërë që të shtohen masat në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Çdo udhëtar që hyn në Shqipëri i nënshtrohet paraprakisht kontrollit mjekësor në pikën kufitare ndërsa monitorimi kryhet nga stafi mjekësor gjatë gjithë 24 orëve.
Edhe pse situata është normale deri tani në rastet e personave të dyshuar që mund të jenë prekur në spitalin e Bilishtit është përshtatur një ambient që do të funksionojë si karantinë e përkohshme
Aktualisht në Kapshticë stafi mjekësor punon me 3 turne ndërsa është rritur numri i termometrave lazer skedave broshurave etj.
Kakavijë
Pikëkalimet kufitare me Greqinë në Jug të vendit kanë përforcuar monitorimin shëndetësor si pjesë e masave për parandalimin e virusit Covid 19. Në pikëkalimin e Kakavijës janë instaluar një staf mjekësor në shërbim 24 orësh me 2 mjekë dhe 3 infermierë që gjurmojnë simptoma të mundshme të sëmundjes. Prefekti i qarkut Astrit Aliaj që monitoroi situatën tha se masat janë në lartësinë e emergjencës.
Deri tani të gjitha rastet e gjetura me temperaturë u vërtetuan se ishin raste të gripit të zakonshëm ndërsa masa po merren edhe brenda territorit shqiptar në qendra shëndetësore dhe institucione publike. Pajisjet për stafin policor të doganave dhe atë shëndetësor janë të mjaftueshme sipas njoftimit zyrtar në këtë fazë të parë.
Ndërkaq pala greke në të njëjtën vijë kufitare nuk ka asnjë masë të shtuar në lidhje me situatën e Covid 19. E ndërsa masa të rrepta janë marrë në kufirin me Turqinë dhe të gjithë kufijtë e tjerë kufiri me Shqipërinë ende është konsideruar me rrezik të ulët.
Top Channel