Në studion e emisionit “Shqipëria Live” të drejtuar nga dyshja e moderatorëve Erjona Rusi dhe Florian Gjini ishte e ftuar detektivja private Shkënda Lili.
Në studio shpjegoi se çdo të thotë dhe me çfarë merret një detektive private. Ajo foli për shumë raste të trajtuara prej saj por një ndër fenomenet dhe kërkesat më të shpeshta janë të nënave që kërkojnë informacione në lidhje me fëmijët e tyre adoleshentë. Kjo sipas detektives është një mënyrë që prindërit të kenë në kontroll fëmijët e tyre. Një rast konkret u paraqit dhe live në studio, kur një djalë kishte ndryshuar sjellje dhe ishte kthyer në një temperament agresiv. Fillimisht detektivja shpjegoi se si nëna e djalit iu drejtua zyrës së saj për ndihmë.
Ajo ishte shprehur se djali cilësohej si një person me sjellje shumë të mirë dhe karakter i qetë, por kohët e fundit ai nxehej për çdo gjë dhe kishte filluar t’i krijonte probleme. Duke angazhime në biznesin privat, nëna ishte shprehur se e kishte të pamundur për të mësuar se çfarë rruge ishte duke ndjekur djali, ndaj kishte kërkuar dhe ndihmën e Shkëndes dhe stafit të saj. Gjatë investigimeve stafi i detektivëve kishin evidentuar se djali ishte një përdorues i “marjuanës” dhe ata e kishin filmuar teksa ai ishte duke pirë një cigare të këtij lloji pranë kolonave të pallateve. Menjëherë sapo siguruan provat e nevojshme ata ia dërguan nënës e cila bëri më pas dhe ballafaqimin me djalin, i cili fillimisht i kishte mohuar akuzat. Por pasi nëna i kishte ballafaquar filmimet ai i kishte pranuar dhe është shprehur se ka reflektuar.
“Kohët e fundit më vijnë kërkesa në lidhje me adoleshentët. Prindërit janë të zënë dhe nuk kanë mundësi të investigojnë fëmijët e tyre. Unë madje i them një bravo të madhe që i besojnë detektivëve privatë, sepse ky profesion vetëm vitet e fundit njihet në Shqipëri. Rasti në fjalë është i vërtetë dhe mua më vijnë shumë raste të tilla. Djali sipas nënës kishte një karakter shumë të qetë dhe ajo kohët e fundit kishte parë një ndryshim tek djali. Ai ishte bërë agresiv dhe numëronte shumë mungesa në shkollë. Duke mos pasur kohën e mjaftueshme ajo nuk arrinte ta ndiqte. Madje e kishte bërë një tentativë për disa ditë me radhë por nuk kishte bërë dot asgjë”, u shpreh detektivja.
Ndërkohë në studio me anë të një lidhje live ndërhyri dhe djali në fjalë. Ai konfirmoi rastin dhe u shpreh se pas ballafaqimit me mamanë ka reflektuar. Madje ai shprehet mirënjohës ndaj detektives pasi në qoftë se ata nuk do të ndërhynin varësia e tij ndaj lëndëve narkotike mund të përshkallëzohej.
“Sigurisht që momenti i ballafaqimit me mamanë ishte i vështirë por edhe një moment reflektimi në të njëjtën kohë, sepse nëse nuk do të ishte bërë ballafaqimi unë do të isha ende duke konsumuar lëndë narkotike. Unë nuk kam kuptuar asgjë që po ndiqesh thjeshtë ato ditë kanë qenë si çdo ditë tjetër rutinë. Në momentin e ballafaqimit me mamanë fillimisht si çdo person tjetër që nuk dëshiron të shqetësoj prindërit, e kam mohuar. Por në momentin që provat dolën sheshit reflektova dhe e pranova. Unë tashmë e shikoj jetën me një tjetër kuptim, pasi jeta ime ishte e kufizuar duke pirë një cigare dhe duke qeshur. E kisha kuptuar dhe vetë që kisha ndryshuar. Mamaja herë pas here ishte përpjekur që komunikonte por e kishte të pamundur sepse unë isha shumë agresiv. Besoj se mami më ka dalluar nga mënyra sesi unë përgjigjesha. Jam penduar, nuk mund ta kthej pas kohën e humbur. Nevojitej kjo masë ekstreme që unë të ndaloja dhe të shikoja këtë problem madhor, mua ndryshe nuk mund të më ndalonte njeri pasi kur pi një drogë dhe ngopet me të kalon në një fazë tjetër”, u shpreh djali.
Top Channel