Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbështet tubimin e organizuar nga presidenti i Republikës më 2 mars, në të ashtuquajturën “Besëlidhja e Metës”.
Përmes një mesazhi, drejtuar strukturave të Partisë Demokratike, kryetari Basha shprehet:
“Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën!”.
Ndërkohë, ditën e djeshme në “Top Talk”, Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Ervin Bushati, i pyetur rreth faktit që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se PD-ja do të jetë në shesh më datë 2 mars, ditën e të ashtuquajturës “Besëlidhja e Metës”, ai tha se kjo nuk është vallja e Bashës, “nuk po e heq ai”.
“Ndërkohë negociatorët e Bashës janë në tavolinë me ne për të folur për Reformën Zgjedhore, e cila po ecën shumë mirë. Ai është realiteti, ne po flasim si do futemi në zgjedhjet e 2021-shit. Nuk ka zgjedhje të parakohshme, edhe Zoti Basha edhe Partia Demokratike ka hequr dorë nga zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi ai.
I pyetur nëse Basha e do apo jo këtë protestë, Bushati u përgjigj:
“Logjikisht jo, as nuk e mbështet , do ta kishte thënë ose të paktën duhet të ishte i pari.. Sa për sye faqe mund të jetë aty, mund të shkojë të mbajë një fjalim dhe të shkojë në shtëpi, nga ato [fjalime] që harrohen të nesërmen. Ne nuk mund të presim që opozita të mos reagojë dhe të kthehet nga ana tjetër t’ia fusë gjumit”, përfundoi sekretari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Kjo është një dozë adrenaline për ndjekësit e tyre. Zoti Meta për ata të LSI-së, Zoti Basha për ata të PD-së. Zoti Vasili vjen në biseda, në qoftë se nuk do ishte ky rend kushtetues, nuk do vinte Zoti Vasili. Atëherë le të tërhiqet nga tavolina”.
Top Channel