Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të martën se tregu i aksioneve në vendin që ai e udhëheq do të shënojë rënie të madhe, nëse ai humb zgjedhjet presidenciale të këtij viti.
Gjatë vizitës së parë zyrtare në Indi, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha para udhëheqësve të bizneseve se vlera e aksioneve do të rritet, nëse ai rizgjidhet president i Shteteve të Bashkuara. Në të kundërtën, sipas tij, nëse ai nuk e fiton këtë garë, njerëzit do të shohin rënie të aksioneve që s’e kanë parë kurrë më parë.
Ai gjithashtu tha se administrata e tij ka planifikuar zvogëlim të taksave për shtresën e mesme të popullsisë në një të ardhme jo shumë të largët, shkruan “Reuters”.
Trump shtoi se rënia e konsiderueshme e vlerës së aksioneve të hënën ndodhi për shkak të frikës nga koronavirusi, por se Shtetet e Bashkuara ndodhen në pozicion të mirë sa i përket luftimit të këtij problemi.
Udhëheqësi i shtetit më të fuqishëm në botë gjithashtu tha se beson që presidenti kinez është duke punuar shumë për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe shpreson që gjithçka do të jetë në rregull.
Top Channel