Të paktën 10 persona kanë mbetur të plagosur pasi një makinë u përplas mbi një turmë njerëzish, që po merrnin pjesë në një karneval në qytetin Folkmarsen të Gjermanisë.
Policia tha se shoferi i automjetit u arrestua, por nuk tregoi nëse bëhet fjalë për aksident apo rast të qëllimshëm. Megjithatë, disa dëshmitarë okularë i thanë medias gjermane online HNA se shoferi dukej sikur i kishte goditur qëllimisht fëmijët. Makinat e policisë dhe autoambulancat nxituan drejt vendngjarjes. Qyteti Folkmarsen ndodhet rreth 423 kilometra në perëndim të Berlinit.
Incidenti vjen vetëm pak ditë pasi një person i armatosur vrau nëntë vetë në qytetin Hanau të Gjermanisë, në atë që u përshkrua si sulmi më i keq racist në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore. Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh në atë rast se kishte gjurmë të shumta që dëshmonin se agresori ishte motivuar nga racizmi dhe ekstremizmi i krahut të djathtë, ndërsa theksoi se autoritetet do të bënin gjithë çfarë ishte e mundur për të sqaruar sulmin. Disa prej viktimave të tij, ishin me origjinë turke.
Top Channel