Presidenca dhe mazhoranca edhe ditën e sotme kanë hedhur akuza ndaj njëra tjetrës. Së fundmi ka qenë zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, i cili duke iu përgjigjur akuzave të kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha se Meta po tenton të pengojë integrimin e Shqipërisë me tubimin e thirrur më 2 mars ka thënë se Balla ka festuar tre herë çeljen e negociatave deri më tani.
Tedi Blushi ndër të tjera ka shtuar se ngitja e Gjykatës Kushtetuese është një nga pikat kyçe për hapjen e negociatave.
Mes të tjerash Blushi ka kërkuar përgjigje edhe për disa pyetje Taulant Ballës. Ndërsa në fund ai thotë se fakte të reja do dalin dhe se ai ka kohë deri më 2 mars të marrë kthesën e radhës.
Reagimi i Tedi Blushit:
Lum Shqipëria për Tao Taon se ky vetëm për hapjen e negociatave punon. Ka harruar që e ka festuar tre herë çeljen e negociatave deri tani. Ka harruar që ngritja e Gjykatës Kushtetuese është kyç për çeljen e tyre.
Po ligjin anti-kushtetues Dvorani pse e miratuat pa pritur Venecian? S’ka nevojë, thotë Tao Tao, sepse pamë disa sugjerime që Venecia u ka dhënë disa vendeve të tjera që kanë Kushtetutë tjetër nga e jona, dhe s’mund të ndalonim ta bënim fakt të kryer ligjin mafioz të rrëmbimit të Gjykatës Kushtetuese. Po me ish-ambasadorin e nderuar Cutillio që ju lutët të dilte në TV e të vinte në diskutim dekretin e Presidentit si do ia bëni?
Apo s’ka problem se ai iku e s’merr vesh që ju e pretë në besë. Po me ambasadën e SHBA si do ia bëni, se edhe ajo bëri goxha deklaratë për të thirrur Venecian? Se ju si proamerikanë të paparë s’lëvizni asnjë presje pa u konsultuar me ta?
Duan të sabotojne ndihmat (borxhet) thotë Tao. Vetëm një PPP e tyre shkon 1 miliardë euro. Edhe 20 miliardë euro borxhe të japë bota, duke rrëmbyer Gjykatën Kushtetuese në mënyrë mafioze nga kjo bandë, asgjë nuk do shkojë në xhepat e shqiptarëve, por në xhepat e tyre dhe të disa kreditorëve.
Ah po, shqiptarët do fitojnë si gjithmonë shumëfishimin e taksave. Fakte të reja do dalin Tao, dhe ti ke kohë deri në 2 mars të marrësh kthesën e radhës, siç e merr gjithmonë.
Top Channel