Peshkimi është një nga industritë bazë për qytetin e Durrësit, por, ashtu si dhe në profesione të tjera, migrimi i vazhdueshëm i fuqisë punëtore drejt BE-së ka rritur nevojën për profesionistë në tregun vendas.
Prej një viti, Muhamed Daut nga Egjipti ka zgjedhur Durrësin për të punuar. Shumë bashkëkombas të tij punojnë prej vitesh këtu, pasi tregu i punës ofron një pagesë më të mirë se në vendin e tyre.
“Unë punoj. Qep trata. Dal në det. Kam një vit në Durrës”.
Për peshkatarët vendas, puna me të huajt, kryesisht afrikanë, është kthyer në normalitet. Qepja e tratave, apo rrjetave të peshkimit nuk është një proces i lehtë, ndaj peshkatarët e huaj janë një mbështetje e mirë.
“Nuk ka shumë të aftësuar në qepjen e tratave, po ka që e bëjnë. Ne plotësojmë njëri-tjetrin. Nuk është punë aftësie”.
Muhamed na tregon vizën shqiptare në pasaportën e tij dhe lejen për të qarkulluar në port. Me vështirësi për shkak të gjuhës thotë se në fillim të muajit është kthyer nga Egjipti ku jeton familja e tij, për të vijuar punën në peshkim.
Në këtë sektor jetik për qytetin, kulinarinë dhe sektorin e turizmit, punojnë rreth 106 shtetas të huaj, 86 prej të cilëve u pajisën për herë të parë me leje pune në tregun shqiptar gjatë vitit të kaluar. Drejtori i Agjencisë së Punësimit dhe Aftësive në Durrës, Indrit Buka thotë se numri i të huajve të punësuar në Durrës gjatë vitit të kaluar ka qenë në rritje, krahasuar me vitet e mëparshme.
“Gjatë 2019 kemi pajisur 255 shtetas të huaj, nga të cilët 106 në sektorin e peshkimit. Të huajt punësohen në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Lehtësira në procedura kanë shtetasit e BE-së, ShBA-së dhe shtetasit e Kosovës, pasi marrin vërtetime përjashtimi dhe nuk pajisen me leje pune. Në sektorin e peshkimit janë kryesisht egjiptianë, turq, ukrahinas dhe ndonjë filipinat”, shprehet Indrit Buka, drejtor i Agjencisë së Punësimit dhe Aftësive Durrës.
Ashtu si kudo dhe tregu shqiptar i punës i plotëson nevojat me të huaj që ofrojnë krahun dhe aftësitë e tyre të punës, shumë larg familjes.
“Vijnë nga vende ku pagat janë më të ulëta. Duke i punësuar ata e bëjnë jetën e tyre në anije. Nuk janë vetëm peshkatarë të zotë, por dhe mjeshtra të qepjes së rrjetave dhe punëve të ndryshme. Ata e fokusojnë të gjithë jetën e tyre te puna në anije”.
Së fundmi, tregu shqiptar i punës ka nxjerrë në pah dhe nevojën për fuqi të shtuar punëtore dhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm./Vali Qyrfyci/
Top Channel