Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë kundërshtuar hapur idenë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për aplikimin e masave të reciprocitetit, Bashkimi Europian, edhe pse këmbëngul në heqjen e taksës 100% mbi produktet serbe, ka preferuar të mos komentojë mbi masat që mendon të ndërmarrë në këmbim ekzekutivi i ri kosovar kundrejt Serbisë.
Pas konfirmimit në postin e kryeministrit, Kurti deklaroi se taksa ndaj Serbisë do të hiqet dhe do të zëvendësohet me reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar. Ai e konsideron një lëvizje të tillë si parim të marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet dy shteteve. Lidhur me çështjen e reciprocitetit, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka deklaruar që se nuk mbështetë idenë e Kurtit për futjen e kwsaj mase ndaj Beogradit. Gjatë vizitës në Prishtinë, para se të zgjidhej qeveria e re, Grenell porositi që heqja e taksës duhet të ndodhë në të njëjtën kohë edhe me ndërprerjen e fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Së fundi, edhe sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, theksoi se heqja e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, do të jetë e rëndësishme për rikthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve.
“Shpresojmë dhe presim që këtë ta bëjë prioritet dhe ta shfrytëzojë momentin që u krijua pas vendosjes së linjave ajrore dhe hekurudhore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, deklaroi Pompeo.
Top Channel