Papa Françesku ka vendosur kundër lejimit të burrave të martuar për t’u emëruar priftërinj në zonën e Amazone-s.
Kjo ide ishte hedhur së fundmi për të mbuluar mungesën për priftërinj në këtë rajon. Fillimisht Peshkopët mbështetën idenë vitin e kaluar, por fjala e fundit i takonte Papës, i cili dha një përgjigje negative.
“Amazona na sfidon që t’i tejkalojmë pikëpamjet e kufizuara dhe jo vetëm ta kënaqim veten me zgjidhje që funksionojnë vetëm për një pjesë të problemit”, shkruhej në deklaratën e Vatikanit.
Në tetor të vitit të kaluar, një grup i përbërë nga 184 peshkopë u takuan në Vatikan për të diskutuar të ardhmen e Kishës në Amazonë. Një nga argumentimet e ngritura prej tyre ishte që burrat e moshuar dhe të martuar duhet të lejohen që të bëhen priftërinj. Megjithatë kandidatët sipas tyre duhet të ishin burra të respektuar, duke shtuar se preferohen të vijnë nga komunitete autoktone.
Thuhet se të paktën 85% të fshatrave në Amazon nuk janë në gjendje të festojnë meshën e të dielës, si pasojë e mungesës së priftërinjve. Disa shprehen se e shohin një prift vetëm një herë në vit. Më herët Papa Françesku kishte thënë se do të merrte në shqyrtim ndryshimin e rregullores kishtare, por në fund vendosi që t’i përmbahet në mënyrë strikte rregullit.
Top Channel