BE është e gatshme t’i ofrojë Britanisë së Madhe “diçka që nuk e kemi ofruar kurrë më parë” si marrëveshje tregtare tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, por jo pa paraqitur kërkesa të vetat.
Ajo e deklaroi këtë në Strasburg, në lidhje me ato që priten të jenë negociata të vështira për të ardhmen e tregtisë midis bllokut të BE dhe Britanisë së Madhe, që u largua nga BE. Presidentja e përshëndeti thirrjen e fundit të kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson që Mbretëria e Bashkuar pas Brexit-it të bëhet “kampione globale e tregtisë së lirë”.
Eurodeputetëve ajo u tha se edhe BE e mirëpret një sistem tregtar “më të drejtë dhe më të fortë”. Presidentja e Komisionit i vlerësoi marrëveshjet e tanishme tregtare të lidhura me Japoninë dhe Kanadanë, duke thënë se BE është i gatshëm t’i ofrojë Britanisë së Madhe “diçka që nuk e kemi ofruar kurrë më parë për këdo tjetër”. BE ka përfytyrimin për një marrëveshje pa dogana dhe kuota tregtare për të gjitha mallrat, tha Presidentja.
“Një model i ri tregtie, qasje unike,” vazhdoi ajo. “Por sigurisht kjo kërkon garanci për konkurrencë korrekte dhe standarde sociale, mjedisore dhe të konsumatorëve.” Të gjitha marrëveshjet tregtare vijnë “jo vetëm me të drejta, por edhe me detyrime nga të dyja palët”, tha ajo. Më herët, shefi i thesarit në Mbretërinë e Bashkuar Sajid Javid, tha në një artikull për të përditshmen e biznesit City A.M. se Britania është e prirur të zhvillojë një “marrëdhënie të qëndrueshme” me BE për shërbimet financiare. Ai theksoi nevojën “për të trajtuar nevojat afatgjata të industrisë për një proces të besueshëm ekuivalent”, duke iu referuar kornizës së BE për qasje në tregjet financiare të të gjithë BE.
Top Channel