Kremlini tha se një zyrtar i lartë rus, me origjinë nga Ukraina, është caktuar si i ngarkuar për të menaxhuar marrëdhëniet e Moskës me Ukrainën, një veprim që mund të shihet si dëshmi e një shtensionimi të raporteve mes dy vendeve.
Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov u tha gazetarëve se Dmitry Kozak, nënkryesues i administratës presidenciale ruse, tani është zyrtari më i lartë i Kremlinit për çështje të Ukrainës.
Kozak, një avokat, lindi në atë që dikur ishte Ukraina Sovjetike.
Marrëdhëniet midis Moskës dhe Kievit u ndërprenë pasi Rusia aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, dhe separatistët e mbështetur nga Moska filluan një kryengritje në Donbas, në Ukrainën lindore.
Konflikti ka lënë të vrarë më shumë se 13.000 njerëz.
Rusia mohon çdo rol në konflikt.
Në dhjetor të vitit 2019, Rusia dhe Ukraina zhvilluan një samit në Paris, me pjesëmarrjen e udhëheqësve të Francës dhe Gjermanisë.
Ky samit u pasua nga një shkëmbim i të burgosurve mes Moskës dhe Kievit.
Top Channel