DW: “Bllokimi i integrimit, papërgjegjshmëri e Macron”/ Parisi në pranverë i hap rrugë Shqipërisë

09/02/2020 11:56

“E papërgjegjshme ishte edhe koha e zgjedhur për kërkesën për reformim të politikës së zgjerimit, dy herë pas shtyrjes nga ana e Macron të vendimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kërkesa bazë ishte – më parë reformë e brendshme e BE e pastaj vazhdim i zgjerimit. E papërgjegjshme ishte edhe kritika e gabuar e Macronit për politikën e deritanishme të zgjerimit, pasojë e injorancës tradicionale franceze në politikën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, nga e cila Parisi për më shumë se një dekadë ishte tërhequr politikisht”, shkruan ndër të tjera Bodo Weber për ciklin e DW, Europa ime.

Lexoni më poshtë artikullin e plotë:

Më 5. Shkurt Komisioni i ri Europian paraqiti propozimet për reformimin e politikës së zgjerimit të BE, më saktë metodologjinë e negociatave të anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Reforma” u bë e nevojshme, për shkak të bllokimit të plotë të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, nga presidenti, Emmanuel Macron në samitin e Brukselit në tetor të vitit të shkuar. Nëse u beson përfaqësuesve të qeverisë franceze, mund të flitet me një optimizëm të matur, që Parisi në pranverë do ta hapë rrugën për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ofensivë komunikimi

Dokumenti përmban shumë elementë pozitivë që ndikojnë në rigjallërimin e procesit të zgjerimit. Propozimi i Komisionit përmban konfirmimin dhe mbështetjen më të fortë e të arsyetuar politike për zgjerimin në Ballkan prej shumë vitesh. Aty pranohet disa herë që BE me politikën e zgjerimit ka një mjet të rëndësishëm për forcimin e demokracisë në dorë. Po ashtu aty theksohet kushtëzimi i reformave si mjet qendror i kësaj politike. Për herë të parë përmendet mundësia e sanksionimit në rast të kthimit mbrapa në rrugën e reformave. Komisioni Europian propozon futjen e të ashtuquajturave “vendime të anassjellta të shumicës së cilësuar” për sanksionet. Që do të thotë, se nevojitet një shumicë e vendeve anëtare për të penguar sanksionet, diçka e re deri më tani për një politikë zgjerimi të bazuar në unitet. Në fund, KE sinjalizon një komunikim të drejtpërdrejtë të BE me qytetaret dhe qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbështësit e vërtetë të integrimit europian. Nga ana tjetër i vë para detyrimit qeveritarët të komunikojnë qëllimin strategjik të anëtarësimit të BE tek qytetarët e tyre. Ky komunikim kthehet në kusht të zgjerimit.

Por duhet paralajmëruar nga kaq shumë eufori për propozimet e zgjerimit dhe efektin afatgjatë të tyre. Sepse ky dokument në fund të fundit është një reagim i detyruar për një problem jo ekzistues dhe të kapur madje jo nga ana e duhur: Bllokada e plotë e Macronit për zgjerimin ishte një akt i papërgjeshmërisë politike europiane. E papërgjegjshme ishte edhe koha e zgjedhur për kërkesën për reformim të politikës së zgjerimit, dy herë pas shtyrjes nga ana e Macron të vendimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kërkesa bazë ishte – më parë reformë e brendshme e BE e pastaj vazhdim i zgjerimit. E papërgjegjshme ishte edhe kritika e gabuar e Macronit për politikën e deritanishme të zgjerimit, pasojë e injorancës tradicionale franceze në politikën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, nga e cila Parisi për më shumë se një dekadë ishte tërhequr politikisht. Një injorancë, që kishtë në bazë edhe mbështetjen e rrezikshme të Macronit për këmbimin e territoreve në negociatat e Brukselit mes Serbisë e Kosovës në vitete 2018/2019. Në një dokument të administratës franceze të përgatitur me nxitim në nëntor, ajo përpiqej të mbushte me përmbajtje politike për ndërhyrjen e njëanshme të Macronit në politikën e zgjerimit, jo me shumë sukses.

Më shumë demokraci se reformë ekonomike

Propozimi i Komisionit tani është përpjekja e qartë për të kthyer mbrapsht pjesërisht elementët problematikë të “non-papers” -dokumentit francez, pjesërisht për t’i dobësuar më shumë. Kështu KE kërkon të shmangë dëmin që i është shkaktuar BE-së në Ballkan duke ruajtur njëkohësisht edhe fytyrën e Macron. Pikërëndesa e reformave ekonomike në propozimin e Parisit u zëvendësua me fokusimin tek demokracia, një nocion që për fat të keq mungonte plotësisht në dokumentin francez. Përmbledhja e propozuar e kapitujve të anëtarësimit nuk do duhet të bazohet më në hapjen me faza të kapitujve. Kjo do të nënkuptonte edhe një ristrukturim të thellë të procesit të anëtarësimit. Futja e impulseve shtesë ekonomike u dobësua ndjeshëm. Më shumë para për qeveritë e Ballkanit Perëndimor dihet se është një mjet pa efekt. Në këto vende ekonomia është gjerësisht nën kontrollin e elitave partiako-shtetërore. Aty dominojnë interesat afatshkurtra të korruptuara të pushtetit përmbi nevojat e ekonomisë popullore. E në fund – as dokumenti francez dhe as propozimi i Komisionit Europian nuk ngrihen mbi analizën e shkaqeve të paefektshmërisë së ndjeshme të politikës së deritanishme të zgjerimit.

Do të hapë Macron rrugën?

Dokumenti i Komisionit Europian nuk prek problemin bazë të politikës së zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor. E ai nuk qëndron tek metodika ekzistuese e procesit të anëtarësimit, apo instrumentave të tij. Prandaj zgjidhja nuk mund të gjendet tek ndryshimi i metodave. Problemi qëndron në mungesën e vullnetit politik të BE, të institucioneve të Brukselit e shteteve anëtare, që t’i venë në veprim me vendosmëri instrumentat e tyre. Macron, megjithë padijen për zgjerimin, e ka prekur këtë problem politik, por nuk i hyri për ta zgjidhur. Dokumenti i ri dhe impulsi i ri i BE do ta bëjnë ndoshta të mundur, që Macron të heqë dorë nga bllokimi i hapjes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Por pyetja kryesore është, nëse ky dokument i Komisionit Europian vërtet do të jetë një kthesë në politikën e zgjerimit. Pas kësaj mbetet i pazgjidhur një konflikt tjetër, më themelor- ai mes Gjermanisë dhe Francës për të ardhmen e BE. Pa përgjigje mbeten pyetje të tjera të rëndësishme: çfarë BE-je duam ne, një union politik apo një bashkësi ekonomike? Dhe tjetra – ku mbaron Europa (BE)?

Bodo Weber është studiues (Senior Associate) në Këshillin e Politikës së Demokratizimit në Berlin, “Democratization Policy Council” (DPC).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA