Në alarm ndodhen organet greke pas deklaratës së Ministrisë së Zhvillimit Bujqësor për shfaqjen e rastit të parë të etheve të derrit, që është lokalizuar në një fermë në rrethin e Serresit , 85 km në veriperëndim të Selanikut.
Rasti është konfirmuar nga Departamenti i Diagnostifikimit Molekular të Etheve dhe Sëmundjeve Virologjike të Qendrës Veterinare të Athinës pasi janë çuar në laborator për analiza, indet e një derri të ngordhur ditët e fundit.
Menjëherë organet greke kanë marrë masat paraprake të parashikuara në këto raste si therja dhe dezinfektimi i të gjitha kafshëve të fermës në fjalë, ndalimin e çdo lloj tregtie të derrave të gjallë nga kjo zonë, si dhe ndalimin e tregtisë së mishit të derrit dhe produkteve të tij.
‘Është një sëmundje e kafshëve, nuk transmetohet tek njeriu dhe kërcënon vetëm botën shtazore. E them këtë në mënyrë që mos këtë asnjë keqkuptim apo shqetësim sa i përket shëndetit të njerëzve’- tha Makis Voridhis, minister i zhvillimit të Bujqësisë.
Virusi i etheve të derrit i njohur edhe si murtaja afrikane edhe pse është i padëmshme për njerëzit, mund të vrasë derrat brenda disa ditësh dhe shkalla e vdekshmërisë mund të jetë deri në 100%.
Ai u perhap muajt e fundit në disa vende europiane si Bullgaria, Rumania, Sllovakia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut duke shkaktuar pasoja ekonomike tek fermeret ,ndërsa raste të shumta regjistrohen në fillim të këtij viti në shumë shtete të kontinentit aziatik duke sjellë shqetësim tek Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve.
Top Channel