Ashtu si dhjetra viktima të tjera të bashkëshortëve, partnerëve, apo ish-bashkëshortëve, edhe Manjola Cuku 33-vjeçarja që humbi jetën natën e 1 shkurtit kishte një urdhër mbrojtjeje ndaj dhunës bashkëshortore të lëshuar nga gjykata.
Vali Qyrfyçi
Urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, lëshuar nga gjykata me kërkesë të viktimës më 19 janar të këtij viti, nuk mundi ta mbrojë atë. Tre fëmijët e mitur nga 2 deri në 10 vjeç u përballën me sherrin mes prindërve dhe trupin e përgjakur të nënës së tyre, dashurinë e së cilës nuk do ta kenë më. Një tjetër grua e vrarë vë në dyshim efikasitetin e urdhrave të mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje. Mjetet ligjore dhe mekanizmat mbrojtës vazhdojnë të mos ofrojnë mbështetjen për të cilat janë krijuar, ndërsa shoqëria mjaftohet me keqardhje, statuse në rrjetet sociale që ndonjëherë rëndojnë më tej dhe viktimën duke synuar të gjejnë “arsyet” që e shtynë burrin drejt krimit. “Pronësia” mbi gruan nga ata burra që ndjehen qenie superiore vazhdon të rëndojë situatën e grave brenda mureve të shtëpisë. Në këtë rast, nuk ishte shkak gjendja e vështirë ekonomike siç rëndom thuhet se ushqen dhunën në familje. Jo, sin ë shumicën e rasteve ishte xhelozia e sëmurë dhe ndjenja e përkatësisë. Dhe në fund, kur ka dhe një akt pendese nga krimineli, ai nuk ka lidhje direkte me gruan. Nuk është për jetën që i mori barbarisht një njeriu, gruas me të cilën ndau vite dhe pjesën më të bukur të jetës, po pendesa në ato momente kthjelltësie i atribuohet vetëm fatit të fëmijëve.
Shoqëria hesht, shteti hesht. Të gjithë, shpesh i quajnë të tepërta ngritjet e zërit nga organizatat e shoqërisë civile për dhunën në familje. Harxhim, keqmenaxhim fondesh. Siguria e gruas është e nëpërkëmbur, ndërsa fushatat ndërgjegjësuese ndër vite e kanë bërë më të qartë situatën. Problematikën e mprehtë të saj. Po sërish paragjykimet bien mbi të dhunuarat. Madje dhe në vdekje. Sot bashkëshorti vrasës tha se gruaja e tradhtonte. Ishte më e re dhe e bukur. Ai mungonte shpesh në shtëpi për shkak të punës në Greqi. Kaq mjaftonte për ta marrë të mirëqenë dyshimin që shkon në krimin më të rëndë njerëzor. Gruaja e tradhtonte brenda në shtëpinë e tyre. Në prani të fëmijëve…
Eshtë për të vendosur kujën. Urdhrat e mbrojtjes nuk mbrojnë. Në shumë raste nxisin dhunuesin drejt krimit. Një shoqëri e tërë është në zgrip. Lëngon brenda katër mureve që duhet të ofrojnë hapësirën më të sigurtë e të paqtë për çdo grua. Klithmat e viktimave të këtyre tri dekadave të fundit duhet të na shkundin të gjithëve. Viktimat janë gra e vajza, ashtu si dhe vrasësit e tyre, i përkasin të gjitha shtresave të shoqërisë, të gjitha niveleve të arsimimit e gjendjes social-ekonomike. Gjendja është kritike dhe duhet të na shkundë të gjithëve nga të perceptuarit si një dukuri që s’na përket të gjithëve. Dënimet e dhëna ndaj dhunuesve duhet të jenë maksimale. Urdhrat e mbrojtjes të zbatohen, të ndiqen nga autoritetet përgjegjëse, inspektorët zonalë të policisë, përmbarimi nëse po respektohen. Mekanizmat mbrojtës të raportojnë dhe ofrojnë mbështetjet e kërkuara dhe jo vetëm të mblidhen në takime të pafrytshme mujore. Shoqëria të protestojë bindshëm për t’i dhënë fund kësaj. Shteti s’duhet të heshtë më i strukur në burokracitë e veta dhe raportimet e bujshme mbi nismat ligjore që vdesin në kode dhe letra. E gjithë shoqëria duhet të reagojë fort ditë pas dite për të çrrënjosur gjëmën që ndodh çdo ditë dhe përfundon me krime makabre. Të gjithë për të çrrënjosur mentalitete, të konsideruarin e dhunës familjare si çështje private; për të çrrënjosur ato mënyra të gabuara edukimi, që ende vazhdojnë, në rritjen e djemve si qenie superiore në familje, fjala dhe aktet e të cilëve duhen thjesht pranuar, në të kundërt të pret kosa e vdekjes.
Shteti dhe shoqëria duhet të ngrihet kundër një dhune që vijon të gjenerojë krim, familje, breza të traumatizuar, të pasigurtë dhe të shenjuar në dhembje pafund me pasoja për të gjithë shoqërinë.
Top Channel