Presidenti i SHBA Donald Trump do të mbajë të martën në mbrëmje fjalimin e tij vjetor për gjendjen e vendit, duke pranuar ftesën e Dhomës së Përfaqësuesve që kohët e fundit ngriti akuza për shkarkimin e tij.
“Është diçka e pashembullt në historinë e vendit tonë që fjalimi për gjendjen e vendit mbahet nga një president nën akuzë dhe që kandidon për rizgjedhje,” thotë David Cohen, profesori i shkencave politike në Universitetin Akron të Ohajos. “Kjo i ngjan një filmi të zhanrit thriller politik, por që është duke ndodhur në të vërtetë.”
Të mërkurën, vetëm një ditë pas fjalimit, senatorët do të votojnë nëse do ta shpallin fajtor ose jo presidentin Trump. Është praktikisht e sigurt që ata do ta lirojnë atë nga akuzat e shpërdorimit të pushtetit dhe pengimit të drejtësisë pasi partia e tij republikane ka shumicën në Senat, ndërkohë që për shkarkimin e një presidenti kërkohet një shumicë prej dy të tretat e votave.
Tema e fjalimit të Presidentit Trump do të jetë “The Great American Comeback” (Rimëkëmbja e Madhe e Amerikës).
“Mendoj se ai do të japë një vizion pozitiv, që shikon nga e ardhmja”, tha një zyrtar i lartë i administratës, i cili beson se Presidenti Trump “do ta inkurajojë Kongresin të punojë me të për të vazhduar ndërtimin e një ekonomie që i përfshin të gjithë, në të cilën njerëzit me të ardhura më të pakta do të realizojnë fitime shumë më të shpejta dhe ku njerëzit e çdo lloj prejardhjeje po gjejnë mundësi të reja,” tha zyrtari.
Megjithatë, të dielën mbrëma, Presidenti Trump u duk se i uli pritshmëritë për të gjetur një bashkëpunim të tillë nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët, e cila votoi për ngritjen e akuzave ndaj tij, aq më tepër që ky është edhe vit zgjedhjesh.
“Për të qenë i sinqertë, nuk jam i sigurt se ata mund ta bëjnë këtë. Mendoj se ata thjesht duan të fitojnë dhe nuk ka rëndësi se si fitojnë,” i tha Presidenti Trump rrjetit televiziv Fox të dielën në një intervistë me rastin e superbollit.
Fjalimi i këtij viti për gjendjen e vendit në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve, ku marrin pjesë ligjvënës demokratë dhe republikanë nga të dyja dhomat e legjislativit si dhe mjaft të ftuar, si sekretarë të kabinetit apo anëtarë të Gjykatës së Lartë, ka të ngjarë të ndiqet nga rreth 50 milion njerëz, rreth gjysma e audiencës së superbollit të dielën në mbrëmje.
Profesor Cohen thotë se megjithë parashikimin nga Shtëpia e Bardhë “pritshmëritë e tij për një mesazh pozitiv janë të ulta për një president i cili është i njohur për mungesë disipline dhe nuk mund të rezistojë pa u shkëputur nga teksti i përgatitur i fjalimit. Dhe kjo, me supozimin se ekipi i fjalimshkruesve në Shtëpinë e Bardhë ndërton një mesazh pozitiv, përveç mburrjeve për tregun e aksioneve.”
Presidenti Trump thekson në mënyrë të përsëritur në komentet për gazetarët dhe në tubimet politike nivelet rekord të arritur nga treguesit e bursave amerikane, për të cilat ai ia jep meritën politikave ekonomike të administratës së tij.
Nuk dihet nëse Presidenti do të komentojë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi gjyqin në senat për shkarkimin e tij.
“Asnjëherë nuk është e sigurt, prandaj nuk dua të bëj parashikime se çfarë do të thotë presidenti”, u përgjigj një zyrtar i lartë i administratës kur u pyet për kërë çështje. “Është e qartë se po ndodhin shumë gjëra, por unë nuk dua të bëj parashikime, nuk dua t’i dal përpara asaj që mund të thotë presidenti,” u shpreh ai.
Fjalimi i Presidentit Trump, megjithatë, pritet të përqendrohet në çështjet e brendshme dhe nuk ka gjasa që ai të bëjë “ndonjë koment tronditës apo të ri për politikën e jashtme”, tha një zyrtar i lartë i administratës.
Siç është e zakonshme për fjalime të tilla me rëndësi, “në thelb e gjithë qeveria punon në këtë fjalim sepse ka lidhje me një proces që prek çdo departament”, tha një zyrtar i lartë i administratës, duke theksuar se disa zyrtarë e kanë për detyrë ta hartojnë fjalimin por “ai fillon dhe mbaron me presidentin”.
FJALIMI I PRESIDENTIT DHE GJYQI PËR SHKARKIM
Dy presidentë të tjerë amerikanë para tij i kanë mbajtur fjalimet mbi gjendjen e vendit ndërsa kanë qënë ende në proces gjyqësor në Senat, demokrati Bill Clinton dhe republikani Richard Nixon.
Zëri i Amerikës i hedh një vështrim rasteve të dy presidentëve të mëparshëm dhe se si Presidenti Trump mund të mësojë prej tyre.Donald Trump mund të bëhet presidenti i tretë amerikan që mban fjalimin drejtuar vendit ndërsa në Senat vazhdon gjyqi, për shkarkimin e tij. Para tij ka qënë presidenti Klinton në vitin 1999.
“Le t’i ngremë sytë si një komb dhe nga maja e këtij shekulli amerikan, të hedhim vështrimin drejt së ardhmes, duke kërkuar bekimin e Zotit në përpjekjet tona dhe për vendin tonë të dashur”, tha Presidenti Bill Clinton.
Në vitin 1974, Presidenti Richard Nixon përballë procedurave të shkarkimit për skandalin “Wotergate” përdori pjesë të fjalimin për të mbrojtur veten. “Besoj se ka ardhur koha për të përfunduar atë hetim dhe hetime të tjera mbi këtë çështje. Një vit hetimesh për ‘Watergate-in’ është i mjaftueshëm.” Presidenti Clinton përdori një qasje tjetër, thotë Thomas Schwartz me Universitetin Vanderbilt.
“Ishte shumë optimist, me tone të larta mbi gjendjen e mirë në Shtetet e Bashkuara, se sa e fuqishme ishte ekonomia, sa vende pune ishin hapur dhe se ishte realizuar rimëkëmbja ekonomike. Ai nuk e përmendi fare çështjen e shkarkimit.”
Fjalimi i së martës është veçanërisht i rëndësishëm për zotin Trump para zgjedhjeve të nëntorit. Hans von Spakovsky është me Fondacionin Heritage.
“Ekonomia është në gjendje të mirë, papunësia jashtëzakonisht e ulët dhe faktikisht papunësia për afrikano-amerikanët dhe hispanikët është në nivelet më të ulta ndonjëherë. Besoj se Presidenti do të dojë të flasë për këto arritje pavarësisht se çfarë po ndodh në Kongres, përfshi procesin për shkarkimin.”
Presidenti Clinton u lirua nga akuzat ndërsa Presidenti Nixon dha dorëheqjen para fillimit të gjyqit. Analistët thonë se qasja e zotit Trump do të mbështetet tek dy paraardhësit e tij.
“Me siguri që ai do të ngrejë lartë arritjet e administratës së tij, veçanërisht në ekonomi. Por ai ndoshta mund të përmend procesin e shkarkimit dhe ndoshta do të sulmojë fuqishëm demokratët për politikën e tyre mbi këtë”, thotë profesori Thomas Schwarts me Universitetin Vanderbilt. Nëse u referohemi tubimeve të zotit Trump, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në gjyqin për shkarkimin e tij, Presidenti Trump ka të ngjarë të vazhdojë të tregohet optimist.
“Këtë nëntor do të fitojmë shumicën në Kongres dhe në Senat dhe do të mbajmë Shtëpinë e Bardhë”, u shpreh Presidenti Trump gjatë një tubimi./VOA
Top Channel