Ndërsa sezoni i sandaleve dalëngadalë po afron, një ekspozitë e re me këpucë të lashtësisë është çelur në një muze italian, si për të risjellë në vëmendje prakticitetin kur vjen fjala te moda, aq i preferuar nga romakët dikur.
Ekspozita ne Pallatin Fitti të Firences tregon qartë se klasikja mbetet gjithmonë e preferuar, ndërsa këpucët dhe sandalet e asaj kohe e mahnisin syrin modern me hijeshinë e tyre. Ajo mban emrin “ Në këmbët e Zotave”, dhe tregon 80 punime duke nisur nga skulpturat e deri tek urnat dekorative.
Në Antikitet, këpucët dhe sandalet ishin një instrument për të kaluar nga një fazë e jetës tek tjetra si për shembull nga vajzë e re në grua të martuar. Gjithashtu në Romën e lashtë, ajo çfarë mbaje në këmbë tregonte dhe shtresën shoqërore e politike të një personi.
Këtu mund të shihni rikrijimet e sandaleve që ka mbajtur Liz Taylor tek “Cleopatra” apo Russell Crowe tek “Gladiator”. Të gjitha ato i ka bërë një dyqan këpucësh, Pompei, në Romë dhe disa janë kopje të modeleve antike si “Caliga”që mbanin ushtarët në një pjesë të skenave të filmit “Aleksandër”.
Në kohët e lashta, këpucët ishin praktikisht një lloj “karte identiteti” për pronarin, e duket gjërat nuk kanë ndryshuar shumë edhe sot, sepse dihet çfarë nënkuptojnë një palë këpucë me taka nga Christian Louboutin. Ndërkohë, nga sandalet romake e kanë marrë frymëzimin edhe emra të mëdhenj të modës si Yves Saint Laurent apo Ferragamo.
Top Channel