Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan Harchenko, tha se Rusia do të përfshihet në negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, nëse e merr një ftesë të tillë nga Beogardi. Pa Rusinë dhe pa miratim nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, marrëveshja ndërmjet dy vendeve nuk arrihet, tha Harchenko për mediat në Beograd.
Ai shtoi se Rusia gjithmonë ka qenë në favor të bisedimeve dypalëshe, por shtoi se e shqetëson dëshira për zgjidhje të shpejtë. Harchenko tha se nuk janë të sakta kritikat se Rusia nuk e dëshiron një zgjidhje dhe se përmes Serbisë po kërkon të ruajë ndikimin në rajon.”Interesi Moskës gjithmonë ka qenë vazhdimi, e në këtë rast rifillimi i bisedimeve”, tha ambasadori. Dialogu Kosovë-Serbi u ndërpre në fundin e vitit 2018 kur Kosova vendosi taksën 100 për qind mbi produktet serbe dhe boshnjake.
Beogradi e ka kushtëzuar rikthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e taksës, por Kosova, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar, ka vazhduar ta mbajë atë në fuqi. Presidenti amerikan Donald Trump caktoi të dërguarin e tij për procesin që është ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, por ka pasur gjithmonë dhe mbështetjen e SHBA-së.
Top Channel