Në gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës u paraqitën edhe sot Murat Bala me bashkëshorten. Zhvillojnë një gjyq pronësie.
“Vij nëpër gjykata që nga 1993, pra kam më shumë se 25 vjet, një çerek shekulli. Edhe sot më kthyen prap”, shprehet Murat Bala, qytetar.
Çifti kishte një shtëpi në qendër të Tiranës. Në 1993 përfunduan në rrugë.
“Vjen policia dhe përmbarimi dhe na nxorën jashtë. Thonë ky është pronari. Por pronari nuk ka një dokument, që të provojë, se e ka blerë atë shtëpi”, vijoi Bala.
73-vjeçari pohon se është bërë edhe vetë avokat tani.
“Kam patur 3 avokatë deri më tani, pasi nuk kam patur më shumë lekë. 100 mijë lekë marr pension. A të paguaj ilaçet e mia, a të paguaj qiranë, ujin, dritat?” vazhdon qytetari.
Seanca e radhës u zhvillua dhe Murati pohon lodhjen e madhe që i ka shkaktuar ky kalvar.
“Nuk ka drejtësi. Po të kishte nuk do sorollatesha kaq shumë. Po të jetë e rregullt gjykata jep vendimin direkt. Urdhëro dokumentin nga e ka blerë ky zotëria dhe ti ik e bëj çfarë të duash. Mbi 15 gjyqtarë e kanë shqyrtuar çështjen time”
Murati tregon se gjyqet për të dhe familjen nuk janë vetëm lodhje fizike.
“Janë dopio stres. Unë jam me zemër, mezi po mbushem me frymë. Ishalla po bën diçka qeveria me drejtësinë. Ishalla i heqin këto “Kap Ça të Kapësh” e të na japin një copë ne fukarenjve, që s’kemi çfarë të japim.”
Top Channel