1.7 milionë klikime për një emision, Arbana Osmani thyen rekord shikueshmëri

03/02/2020 12:48

“Dua të të bëj të lumtur” është padyshim një nga emisionet më të dashura për publikun shqiptar. Çdo të shtunë moderatorja e njohur, Arbana Osmani, mbërthen para ekranit me historitë nga më të ndryshme publikun, i cili e ndjek me shumë kuriozitet.

Çdo puntatë sjell histori të ndryshme, nga ata që të bëjnë të qeshësh, të qash e madje edhe të reflektosh për jetën. Të shtunën e kaluar, Arbana ka thyer një rekord shikueshmërie me ngjarjet e treguara në “Dua të të bëj të lumtur”, duke marrë 1.7 milionë klikime për një emision.

 Më 1 shkurt, moderatorja e dashur për publikun, tregoi historinë e Kujtimit që kërkonte nënën biologjike. Stafi i emisionit kishte arritur që a gjente atë dhe pas 48-vitesh bëri të mundur që nënë e bir të takoheshin për herë të parë.

Historia e Kujtimit kishte nisur para 48-vitesh kur mamaja e tij, Rajmonda kishte qenë e re dhe ishte dashuruar. Fatkeqësisht pas një periudhe Rajmonda ishte ndarë dhe kishte ngelur shtatzënë. Tepër e re dhe e detyruar nga rrethanat edhe nga mentaliteti i njerëzve, ajo e kishte lënë Kujtimin në spitalin ku kishte lindur.

Ai nuk donte ta pyeste se pse e braktisi, nuk donte që ta gjykonte për këtë zgjedhje që kishte bërë, por donte vetëm të njihte gruan që e kishte sjellë në jetë.

Më pas Arbana zbuloi historinë e bukur të dashurisë mes Adhurimit dhe Elsuidës. Ata kishin vite bashkë dhe kishin dy fëmijë, por kjo dashuri kishte bërë që familja e Elsuidës të mos i fliste asaj.

Dy të dashuruarit ishin njohur nga një telefonatë e rastësishme e bërë nga Elsuida. Prej disa kohësh ata vijuan duke komunikuar me njëri-tjetrin dhe të ndanin çdo gjë përmes bisedave në telefon. Madje erdhi edhe momenti kur Adhurimi i kishte rrëfyer asaj se i përkiste komunitetit egjiptian.

Kjo gjë nuk e ka shqetësuar aspak Elsuidën, e cila ka pranuar që të vazhdojë lidhjen edhe pse familja e saj ka dalë plotësisht kundër. Ajo ka zgjedhur që të mos flasë me familjen dhe të krijojë një familje të re me të dashurin e saj të zemrës.

 Adhurimi zgjodhi “Dua të të bëj të lumtur” që t’i thoshte asaj faleminderit që nuk e braktisi dhe që besoi tek ai. Madje ai bëri edhe një përpjekje për të bashkuar atë me familjen e saj. Ai i kishte dërguar ftesë edhe prindërve të Elsuidës, të cilët e kishin kuptuar që nga kush ishte ftesa, nuk kishin pranuar që të shkonin në studio.

Historia e radhës ishte ajo e Martinës, e cila vite më parë ishte martuar pa dëshirën e prindërve me një djalë që ishte në burg.  Ky i fundit e kishte mashtruar atë duke i thënë se kishte pak vite burg për të bërë dhe se shumë shpejt do ishte i lirë.

Martina kishte dy fëmijë me djalin në fjalë, i cili pasi doli nga burgu nisi ta keqtrajtonte dhe në një moment e la për një tjetër femër.

E vënë nën një presion psikologjik të madh, ajo kishte tentuar edhe që të vetëvritej. Por duke lënë pas këtë mendim, Martina ka vendosur që gjithçka t’ia rrëfente nënës së saj, Marie, e cila i ka qëndruar në çdo moment pranë.

E për të bërë sado pak të lumtur mamanë e Martinës, “Dua të të bëj të lumtur” kishte ftuar këngëtaren e dashur për publikun shqiptar, Nora Istrefin, të cilën ajo e pëlqente.

Pas përfundimit të kësaj histori, ishte Nora ajo që më pas u surpriza nga emisioni. Fillimisht ajo mori një mesazh nga ish-bashkëshorti, Robert Berisha, i cili i tha se do e donte gjithmonë atë dhe vajzën e tyre, Renne.

Më pas ishte mamaja e saj ajo që e lumturoi Norën. Nëna e saj këndoi për herë të parë, që kur ka vdekur babai i këngëtares.

Të gjitha këto histori kaq emocionuese, ku pati shumë lot por edhe shumë mesazhe të bukura për jetën, bënë që “Dua të të bëj të lumtur” të thyente rekord shikueshmërie. E sigurisht që ky nuk është rekordi i parë dhe se do të ketë shumë të tjerë!

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA