Shumë banorë të pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës vazhdojnë të jenë në padije për çfarë do të ndodhë me banesat e tyre të shpallura të pabanueshme.
Edhe banorët e këtij pallati në lagjen nr.5 të qytetit, që rezulton i anuar në rreth 55 cm pjerrësi, ndodhen në udhëkryq për fatin e pallatit të tyre.
“Nuk dimë çfarë do të bëhet me pallatin tonë. A do të prishet apo do të riparohet? I jemi drejtuar me shkrim dhe Institutit të Ndërtimit, po asnjë përgjigje. Ky pallat rrezikon dhe pallatin përbri”.
“Pallati ka deformim në themel dhe ka marr një kënd 55 cm sipas specialistëve italianë. Duam të vijë dikush çfarë do të bëhet me pallatin tonë që dhe ne të marrim nismat tona ligjore lidhur me të”.
“Pallati është i pabanueshëm. Po jetoj te nipi dhe bonus nuk kam marrë. Gjithë mundi i jetës na ka ikur kot”.
Lidhur me rastin në bashkinë e Durrësit bëjnë të ditur se për këtë pallat dhe të tjera objekte janë kërkuar ekspertiza të thelluara nga Instituti i Ndërtimit dhe mbi bazën e tyre do të veprohet më tej.
Një javë më parë ishin banorë të pallatit të ndërtuar nga kompania ‘Kastrati” në lagjen 17 që iu drejtuan TCH dhe ngritën të njëjtin shqetësim për pallatin e anuar dhe të dëmtuar, pasi kompania e ndërtimit tentoi të kryejë riparime të muraturës së dëmtuar, pa marrë parasysh këndin e pjerrësisë dhe dëmtimin në themel të pallatit.
Mungesa e informacionit mbetet një nga problematikat më të mprehta me të cilat hasen banorët në bashkinë e Durrësit, teksa bëjnë ecejake nga njësitë vendore te bashkia dhe autoritetet që lëshojnë aktet e ekspertimit ende në kërkim të informacionit, kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga tërmeti që shënjoi jetët e të gjithë qytetit.
Top Channel