Misioni historik në Mars/ Testi i parë i madh për raketën New Glenn të Jeff Bezos shtyhen për shkak të motit
Për herë të parë pas 10 vjetësh, një lider izraelit merr pjesë në seancën përkujtimore të Holokaustit në Bundestag. Përvjetori i çlirimit të kampit të Aushvicit vjen në një kohë të rritjes së antisemitizmit në Gjermani.
Dukej për së largu që do të ishte një ditë e jashtëzakonshme në Bundestagun Gjerman në Berlin politik: flamujt në ndërtesën e Reichstag-ut ishin në gjysmë shtize, në sallën plenare shumica dërrmuese e deputetëve ishin veshur me ngjyra të errëta. Shumë njerëz të besimit hebre ishin në ulëset e spektatorëve, disa kishin vënë kippa.
Presidenti Federal, Frank Walter Steinmeier do të fliste më vonë për shqetësimin që venia e kapeles hebreje në Gjermani në vitin 2020 mund të bëhet përsëri një “rrezik për jetën”.
Përkujtim me presidentin izraelit
Presidenti izraelit, Reuven Rivlin, ishte i pranishëm të mërkurën në Parlamentin gjerman në Berlin për të kujtuar 75-vjetorin e çlirimit të kampit të vdekjes në Aushvic. Rivlin është lideri i dytë izraelit që mban fjalim para Bundestagut për të përkujtuar mizoritë e Holokaustit. I pari kishte qenë ish-presidenti izraelit Shimon Peres në vitin 2010. Rivlin, duke iu drejtuar deputetëve gjermanë, tha: “Unë qëndroj këtu dhe them se gjermanët dhe Izraeli janë partnerë. Së bashku ne qëndrojmë për vlerat tona: kundër antisemitizmit dhe ksenofobisë dhe kundër shkatërrimit” që ndodhi 75 vjet më parë.
Pjesë e identitetit gjerman
Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për të parandaluar që tmerret e Holokaustit të mos ndodhin përsëri, tha ai, duke shtuar, se i njëjti vend që solli tmerret e nazizmit në botë ishte bërë sot një “fanar” për mbrojtjen e vlerave liberale.
Më parë, presidenti gjerman e kishte quajtur Holokaustin një pjesë të identitetit gjerman. “Holokausti është pjesë e historisë gjermane dhe e identitetit gjerman,” tha Steinmeier dhe shtoi, se Gjermania duhet të mbetet vigjilente në mbrojtjen e kujtesës së së kaluarës./DW
Top Channel