213 të vdekur në Kinë/ 10 mijë të prekur nga koronavirusi. Italia shpall 6 muaj të emergjencës

31/01/2020 19:57

Kina njoftoi se tashmë ka mbërritur në 10 mijë numri i rasteve të konfirmuara me koronavirusin e ri që për nga përhapja, tashmë ia kalon zyrtarisht dhe Sarsit.

213 është bilanci i të vdekurve, e fatkeqësisht mund të mos ndalet këtu. Virusi i tmerrshëm ka mbërritur tashmë dhe në Italinë fqinjë. Një çift turistësh në Itali rezultoi pozitiv ndaj virusit dhe po mbahet nën vëzhgim në spital.

32 persona të tjerë dyshohet se janë infektuar. Autoritete italiane vendosën të shpallin gjendjen e emergjencës për 6 muaj dhe të ndalojnë të gjithë trafikun ajror me Kinën. Sëmundja po trajtohet sikur të ishte ndonjë epidemi kolere, thonë mediat vendase.

80 italianë pritet të kthehen nga Wuhani të hënën, por do të mbahen nën kontroll të rreptë. Suedia u bë vendi i fundit që regjistroi një rast personi të infektuar, ndërsa në Gjermania numri i të prekurve shkoi në gjashtë; mes tyre, edhe një fëmijë në Mynih, gjendja e të cilit fatmirësisht është e stabilizuar.

Britania po ashtu  raportoi rastet e saj të para të konfirmuara. Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se përhapja e virusit në të gjithë botën është një emergjencë globale, si dhe një “ngjarje e jashtëzakonshme” që kërkon një reagim të koordinuar ndërkombëtar. Sipas një raporti të BBC, infeksioni është i vështirë për tu diktuar dhe ndaluar sepse vlerësohet se vetëm një në pesë raste do të rezultojë në “simptoma të rënda” që do të thotë se njerëzit mund ta përhapin sëmundjen pa pasur simptoma ose pa e ditur as vetë se janë të infektuar.

Ekspertët amerikane nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve thonë se simptomat e një të ftohuri apo gripi të zakonshëm dhe ato të koronavirusit janë të njëjta. “Ne jemi të gjithë në të njëjtën anije.”Ky virus mund të pengohet vetëm nëse punojmë së bashku.  Është koha për fakte dhe jo për frikë, deklaroi kreu i OBSH-së,  Ghebreyesus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA