Të tjera detaje mësohen nga ngjarja tronditëse e rrëmbimit të 49-vjeçarit Jak Prenga, më 17 janar në Kamëz.
Një super-aksion në disa qytete i Forcave RENEA dhe policisë së Tiranës dhe Durrësit, zbuloi se 49-vjeçari i marrë peng ka ndërruar jetë, teksa ka humbur shumë gjak, pas dhunës nga autorët.
Policia njoftoi se pasi është dhunuar dhe rrëmbyer, autorët e kanë marrë me makinë për ta çuar në resortin “Golden”, në Shijak, pronar i të cilit është Altin Hajri, por që Prenga ka humbur jetën rrugës.
Ky i fundit Altin Hajri, në tetor të vitit 2015 ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të trafikut të drogës nga Afganistani në Itali. Mirëpo 8 muaj më vonë, në 2016-ën, autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve.
Në Shqipëri, Altin Hajrit iu bllokuan pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro. Në tetor 2015 në një operacion të përbashkët të policisë italiane dhe shqiptare të koduar “Enigma”, u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan më shumë se 450 kilogramë drogë e papërpunuar, 325 kilogramë marijuanë, 206 kilogramë heroinë.
Për krimin e rëndë janë arrestuar katër persona, emrat e të cilëve siç Top Channel mëson janë Bajram Hajri, djali i tij, Leonard Hajri, Olsi Turja dhe Elton Hajri.
Top Channel