Tek kampi Ashraf 3 në Manzë të Durrësit, ajo që na bën përshtypje, është mungesa e fëmijëve. Në Ashraf, nuk ka as kopsht dhe as shkollë. Aty nuk shikon qoftë edhe një fëmijë të vetëm.
“Kur ishim në Irak, ishte luftë. Prandaj, fëmijët i dërguam jashtë Irakut. Në vende të tjera. Sepse aty ishte front lufte, në Irak. Ndoshta shumë prej tyre janë të rritur tani dhe janë në moshë madhore”, tregon Mehdi Baraei, përfaqësues i MEK-ut për Shqipërinë
Nga ana tjetër në kamp nuk shikon as jetë familjare. Nuk shikon çifte të martuar, ose një familje të madhe me prindër dhe fëmijë të rritur.
Duke mos pasur familje, brenda këtij kampi nuk gjen apartamente dhe shtëpi private. Njerëzit jetojnë në dhoma nga 2 apo 3 veta.
Pra, Ashraf i ngjan më shumë një konvikti me student, ose një kazerme ushtarake. Vetëm se ata nuk janë të armatosur. Diçka tjetër që mësuam për jetën brenda kampi është se muxhahedinët e kanë të ndaluar të punësohen në Shqipëri dhe të marrin një rrogë. E kanë të ndaluar gjithashtu të hapin bizneset e tyre. Ne pyetëm disa prej tyre se si ndihen që kanë sakrifikuar kaq shumë gjera nga jeta.
“Jetët dhe beteja që kemi… …është e vështirë që të tjerët ta përfytyrojnë se sa e ëmbël është kjo betejë për ne. Sepse ke fuqinë të mos mendosh për veten e të sakrifikosh për të tjerët. Të bësh diçka që të tjerët të arrijnë lirinë. Që të mos ketë më fëmijë si unë, që nuk takonin dot prindërit. Kjo është kënaqësia më e madhe për mua”, tregon Bahador Imarzi, anëtar i OMPI-së
Këta njerëz kanë hequr dorë nga ëndrrat, që ka çdo njeri. Ata nuk kërkojnë karrierë në profesion, familje, shtëpi, makinë, llogari bankare, jetë të rehatshme dhe pushime verore.
“Ëndrra ime më e madhe është që populli i Iranit të ketë prosperitet, liri, dhe lumturi në të ardhmen”, tregon Akbar Saremi, anëtar i OMPI-së
Akbar Saremi nuk u përlot kur na tregoi për babain e tij të pushkatuar. por ai po qan tani, që flet për lirinë e Iranit. Kjo tregon shumë për mënyrën se si një muxhahedin e shikon jetën.
E thënë ndryshe, muxhahedinët që jetojnë në Shqipëri janë nxitësit e opozitës brenda Iranit. Aksionet e tyre nuk janë me protesta dhe me sulme të armatosura si dikur. Ata sot luftojnë përmes teknologjisë së informacionit, internetit dhe rrjeteve sociale.
“Kur them “opozitë”, është zëri i popullit në Iran. Do të thotë që sjell kryengritje dhe protesta për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Ngaqë në Iran ka shtypje… …nëse ndodh diçka, do që të merret vesh në lajme. Ne përpiqemi të përhapim lajmet e atyre që janë kundër regjimit edhe në zona të tjera të vendit. Ne informojmë organizata ndërkombëtare, si Amnesty International. Kështu bëhemi një zë i fortë mes popullit iranian”, tregon Mehdi Baraei, përfaqësues i MEK-ut për Shqipërinë.
Top Channel