Terminali i kontenierëve i kthehet portit të Durrësit. Prishja me vendim gjyqësor të formës së prerë të koncensionit 35-vjeçar me kompaninë turke i jep fund monopolit të vendosur në përpunimin e ngarkim-shkarkimit të kontenierëve në portin më të madh të vendit.

Përmbarimi ka ndërhyrë për të ekzekutuar vendimin. Që në vitin 2017, Ministria e Transporteve iu drejtua gjykatës për prishjen e koncesionit me shoqërinë “Durrës Container Terminal”, i përbërë nga shoqëritë “Kurum Shipping” dhe “Global Ports Holding”, pasi koncensionari nuk kishte përmbushur kushtet e kontratës, duke nisur nga investimet e detyrueshme deri te përmirësimi i shërbimit për operatorët.

Terminali u dha me koncension në vitin 2011 dhe ishte një nga koncensionet më të mëdha të dhëna nga qeveria shqiptare, duke krijuar monopol në sektorin e përpunimit të kontenierëve.

Nuk dihet ende se cili do të jetë fati i këtij shërbimi në të ardhmen, nëse do të ofrohet nga vetë shteti përmes Autoritetit Portual Durrës, apo do të tenderohet sërish.

Pranë Autoritetit Portual Durrës mësohet se pavarësisht ndërhyrjes së përmbarimit, ky proces i kalimit të menaxhimit nga koncensionari tek Porti nuk do të krijojë probleme në përpunimin e kontenierëve në terminal dhe të anijeve me kontenierë që pritet të mbërrijnë në Durrës gjatë ditëve në vijim./Vali Qyrfyci/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA