Mediat greke kanë sulmuar RENEA si forcat speciale me standarte të dyfishta. Ata kanë bërë krahasimin me vrasjen e terroristit Kacifas me arrestimin e Xhevahir Jonuzit që u bë para pak ditësh në Vlorë.
47-vjeçari Xhevahir Jonuzi, i dënuar me 25 vite burg për vrasje, hapi zjarr ndaj forcave të Policisë duke rrezikuar jetën e tyre, por mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit proporcional të zjarrit.
Xhevahir Jonuzi renditej në listën e policisë si një nga 8 më të rrezikshmit e Vlorës.
Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e presonit, si dhe informacionet që ky shtetas mbante armë zjarri, Forcat Speciale Renea kanë bërë rrethimin e banesës së shtetasit Xhevahir Jonuzi, 47 vjeç, banues në fshatin Hoshtimë.
Gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë, 47-vjeçari Jonuzi ka parë forcat e Policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë. Renea i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por shtetasi Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre. Në proporcion të drejtë me zjarrin e personit, Forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë.
Ekipi i Reneas i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e ka dërguar menjëherë në spital, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 25 vite burg për “Vrasje me paramendim”.
Po ndaj këtij shtetasi, në vitin 2018, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Lajmi i mediave greke
Të shtunën e kaluar në qytetin shqiptar Vlorë, ndodhi një incident i rëndë që përfshin një 47-vjeçar shqiptar, i cili demonstroi qartë standardet e dyfishta të përdorura nga Forcat Speciale të Policisë Shqiptare (RENEA) në krahasim me rastin e anëtarit të pakicës greke Konstantinos Katsifas.
Operatorët RENEA ekzekutuan Katsifas, 35 vjeç, me gjak të ftohtë, në ditën e përvjetorit kombëtar grek të 28 tetorit 2018, në fshatin minoritar grek Vouliarates në Vorio-Epiri, në pjesën jugore të Shqipërisë.
Të shtunën, sipas mediave shqiptare, oficerët RENEA rrethuan në Vlorë strehën ku fshihej një i arratisur shqiptar.
47-vjeçari, i dënuar në mungesë të dy akuzave për vrasje dhe trafik droge, sulmoi oficerët e policisë me armë.
Reagimi i oficerëve të RENEA, ishte i menjëhershëm, duke e qëlluar atë në këmbë dhe më pas i dhanë ndihmën e parë të nevojshme para se të dërgohej në spital.
Është e panevojshme të thuhet, se ata nuk vepruan si në çështjen Katsifas.
Konstantinos Katsifas, edhe pse ishte i izoluar dhe bllokuar në majë të një mali, i paarmatosur siç doli, u ekzekutua me dy plumba afër zemrës. Katsifas u ekzekutua edhe pse ai nuk ishte një kriminel, dhe megjithëse në kohën e arrestimit, askush nuk ishte në rrezik.
RENEA me sa duket po u bindej urdhëratve “më të larta”, pasi ata ekzekutuan Katsifas për të quajtur “ekstremist” i cili “kërcënoi jetën e policisë dhe civilëve”, duke mos arritur të ndjekë procedurat standarde të duhura që ndoqën në rastin e 47-vjeçarit shqiptar.
Duhet të theksohet se deri më sot, hetimi i autoriteteve shqiptare për rrethanat në të cilat u ekzekutua Konstantinos Katsifas nuk është përfunduar.
Gjatë gjithë kësaj kohe zyra e prokurorit është përpjekur të provojë që Katsifas ishte një “ekstremist grek”.
Sidoqoftë, ekziston një paaftësi serioze për të vërtetuar këtë akuzë provokuese që Kryeministri shqiptar Edi Rama, kolegët e tij dhe media pro-qeveritare mbështesin që në fillim.
/Ariglon Pali/
Top Channel