57 shkolla të sistemit parauniversitar nuk janë hapur për këtë vit shkollor 2019-2020. Shkolla 9-vjeçare “Pajan” është një prej tyre.
Isabela pas mbylljes së shkollës afër fshatit është detyruar që procesin mësimor ta ndjek në Pezë. 11-vjeçares i duhet të zgjohet herët që të kap orën e mësimit në kohë.
“Zgjohem në 6, sa të bëhem gati që në 7:30 të jem në shkollë. E bëj gjithmonë në këmbë. Më parë kam qenë te shkolla e “Pajan-ës” po u zhvendosa në Pezë se aty kishte pak fëmijë. Në klasë të gjashtë ne ishim 4. Mësuesit kanë ndryshuar”.
“S’ka kalamaj sipër. Më përpara ka pasur më shumë. Po është varfëruar vendi kanë ikur të gjithë në tiranë, e tani ska”, shprehet babai i Isabelës.
Për shkak të numrit të ulët të nxënësve por edhe dëmtimeve të tërmetit të 26 nëntorit, 3 shkolla janë mbyllur në njësinë administrative Pezë. Të gjithë nxënësit, 250 nxënësit e 3 shkollave janë zhvendosur në këtë godinë këtu, që më parë ka qenë qendër fetare,për të zhvilluar mësim. Tashmë kjo shkollë quhet shkolla e mesme e bashkuar ’16 shtatori’.
Në përgjigjen kthyer Top Channel nga Ministria e Arsimit, bie në sy se shkollat përveç shembjes nga tërmeti, nuk janë hapur më së shumti prej numrit të vogël të nxënësve dhe për efekt përqendrimi të klasave kolektive, ata janë zhvendosur në shkollat e qendrës. Lushnja ka mbyllur dyert e 7 shkollave, ndërsa Tepelena numëron mbylljen e 6 kopshteve dhe shkollave pasi nuk kishte fëmijë të regjistruar, dhe që pritet të hapen kur të rritet numri i tyre. Mbyllja e shkollave vit pas viti , sipas ekspertit të arsimit Ndriçim Mehmeti shtyn në braktisjen e shkollave si dhe të zonave rurale.
“Është një shkelje e kushtetutës. Arsimin e detyruar ne e kemi 9 vjet, dhe ajo që është më e keqja është që e ka paralajmëruar vetë ministrja Shahini, kur ka thënë se nuk investoj për shkolla me 7-8 apo 10 nxënës. Ky lloj dekurajon dhe jetën në zonat rurale, sepse njerëzit kur shikojnë që nuk ka shkollë, nuk ka qendër shëndetësore. Atëherë pse duhet të rrinë ata atje?!”, thotë Ndricim Mehmeti./Kristi Gongo/
Top Channel