Në përpjekjet për të gllabëruar prona, banda e Aldo Bares futet në konflikt me familjen e pasur Taullau në Lushnje.

Biznemseni Baki Taullau ishte ndër më të njohurit. Vëllai i tij Alberti ka rrëfyer para gjykatës se në një rast, u ka marrë 10 milionë lekë Eduart Demiri, një pjesëtar i bandës i skeduar nga autoritetet italiane përmes kësaj fotoje që Top Story disponon.

Vëllai tjetër Saimir Taullau, i cili njihet si person i dënuar për trafik droge ka dëshmuar se atyre u është vënë disa herë gjobë. Saimir Taullau ka deklaruar në gjykatë se ushtarët e Aldo Bares i kishin kërkuar të vëllait 500 mijë euro para ekzekutimit. Plani në fakt datonte që në datën 24 Shkurt të vitit 2003, kur Enver Dondollaku u përgjua duke biseduar në telefon me Aldo Baren.

“Shtëpia e Taullaut duket mirë nga ajo e Keles, i dërgojmë një karamele të gjatë”, thotë Dondollaku duke nënkuptuar sulm me snajper.

Bakiu ekzekutohet pas 6 muajsh në qendër të qytetit ku kishte dalë për të festuar fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 3 Korrikut të vitit 2005.

“Krimet shfrytëzojnë fushatat elektorale, jashtë mase, dhe shikojnë, vlerësojnë kush është më afër fitores, marrjes pushtetit”, thotë eksperti i sigurisë Emri Vata.

Mes turmës në shesh afrohet Leonard Prifti, i njohur si “Çibiku” apo “I vogli”, nxjerr pistoletën dhe qëllon disa herë duke e lënë të vdekur në vend Baki Taullaun.

“Çibiku” tenton të largohet me shpejtësi por njerëzit që shoqëronin biznesmenin arritën ta ekzekutojnë aty për aty. Vrasësit e “Çibikut” nuk u identifikuan kurrë, edhe pse në Lushnje flisnin për një biznesmen me lidhje të forta me të djathtën që sapo erdhi në pushtet.

Aldo Bare humbi një prej beniaminëve të tij. “Çibiku” ishte rekrutuar që në moshën 14-vjeçare nga banda dhe u ekzekutua kur ai ishte 25-vjeç. Ai ishte rritur jetim. Rreth vitit 1993 prindërit i ishin mbytur pasi kishin tentuar të emigronin në Itali me gomone. Leonardi jetonte rrugëve, dhe Aldo Bare i dha një strehë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA