Tetë vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë mbështetjen e tyre për një mision të mbikëqyrjes detare në Ngushticën e Hormuzit.
Ngushtica e Hormuzit, është një vendkalim për gati një të tretën e gjithë naftës që tregtohet nga deti.
Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Holanda dhe Portugalia mbështesin forcën e re, u tha në një deklaratë të lëshuar nga ministria e Jashtme e Francës.
Masa vjen pas “rritjes së pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë” në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit, thuhet në deklaratë, në të cilën citohen “incidente të shumta detare dhe jo-detare”.
“Kjo situatë ka ndikuar në lirinë e lundrimit dhe sigurinë e anijeve dhe ekuipazheve evropiane dhe jo-evropiane në zonë për muaj të tërë. Ajo gjithashtu ka rrezikuar tregtinë dhe furnizimin me energji me pasoja të mundshme ekonomike në të gjithë botën”, thuhet në deklaratë.
Shtetet e Bashkuara në nëntor filluan operacionin e vet së bashku me aleatët për të mbrojtur transportin detar në rajon.
Ngushtica e Hormuzit ka qenë në qendër të tensioneve mes Iranit dhe SHBA-së si dhe aleatëve të saj në rajon.
Top Channel