Ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ka akuzuar liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski se po rrezikon stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë së Veriut me kërcënimet për anulimin e Marrëveshjes së Prespës nëse fiton zgjedhjet parlamentare në 12 prill.
Në një konferencë për shtyp në Shkup, Zaev tha se “anulimi eventual i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë për çështjen e emrit, do ta kthente vendin 25 vjet mbrapa. Maqedonia e Veriut jo vetëm që nuk do ta finalizonte anëtarësimin në NATO por do të mbetej edhe pa perspektivë evropiane”. “A është e vetëdijshme VMRO-DPMNE-ja për atë që do të ndodhte nëse anulohet Marrëveshja e Prespës? Kjo do të rikthente 25 vjet pas, do të kthente referencën FYROM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), emër ky me të cilin ishim pagëzuar në kurriz të emrit kushtetues. Anulimi i marrëveshjes do të thotë të humbasësh anëtarësimin në NATO, të humbasësh perspektivën e BE-së, të humbasësh miliarda euro investime. Pa Marrëveshjen e Prespës do të humbim mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, do të kemi bllokada të reja nga Greqia, do të kemi paqëndrueshmëri të brendshme dhe rreziqet për konflikte “, ka theksuar kryetari i Lidhjes Social-Demokrate.
Zaev i bëri thirrje Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së që të ndalojë me tezat e rrezikshme dhe manipuluese për rrëzimin ose ndryshimin e marrëveshjes. Nëse nuk ka Marrëveshje të Prespës nuk do të ketë të ardhme ”, tha Zaev i bindur se opozita nuk do të arrijë të fitojë në zgjedhjet e 12 prillit.
Top Channel