Një gjykatë kineze ka dënuar ish-shefin e Interpolit, Meng Hongwei me 13 vjet e gjysmë burgim, dhe e gjobiti me 290.000 dollarë, për marrje ryshfeti dhe abuzim me pozitat zyrtare.
Meng i tha gjykatës në qytetin verior të Tianjin, se ai nuk do të bënte apel ndaj vendimit, njoftoi gjykata përmes një deklarate.
Interpol, organizata ndërkombëtare e policisë me qendër në Francë, tha në fund të vitit 2018 se Meng kishte dhënë dorëheqjen si president i saj, disa ditë pasi gruaja e tij njoftoi se ai ishte zhdukur, pas një udhëtimi në Kinë, vendin e tij të origjinës.
Gjykata tha se Meng mori më shumë se 2 milionë dollarë përmes ryshfetit dhe abuzoi me pozitat e tij të mëparshme midis viteve 2005 dhe 2017.
Në mars, Partia Komuniste në pushtet bëri të ditur se hetimi i saj kishte zbuluar se Meng, një ish-zëvëndësministër kinez i sigurisë publike – shpenzoi shuma “të mëdha” të fondeve të shtetit, abuzoi me pushtetin e tij dhe nuk pranoi të ndiqte vendimet e partisë.
Gruas së tij iu sigurua azili politik në Francë, vitin e kaluar, pasi deklaroi se kishte frikë, se ajo dhe dy fëmijët e saj, do të rrëmbeheshin.
Top Channel