Një tubim i madh lidhur me të drejtën për të mbajtur armë është planifikuar të zhvillohet të hënën në Riçmond të Virxhinias. Mijëra aktivistë pro-armëve, pritet të mblidhen në Riçmond në një kohë kur demokratët kanë kontrollin e plotë të legjislaturës së këtij shteti për herë të parë në 30 vite.

Ligjvënësit demokratë kanë miratuar ligje më të ashpra për kontrollin e armëve një temë qendrore e fushatës.

Senati i shtetit të Virxhinias miratoi të enjten një ligj që kërkon kontrollin e së shkuarës për të gjithë ata që blejnë armë zjarri dhe kufizon blerjen e armëve në vetëm një në muaj. Senati miratoi gjithashtu një projektligj që i rikthen të drejtën qeverisë lokale që të mos lejojë armë në ndërtesat publike dhe vende të tjera.

Neo-nazistët dhe grupe të tjera që mbrojnë të drejtën për të mbajtur armë kanë thënë se do të bëhen bashkë në kryeqytet në tubimin e së hënës, i cili organizohet çdo vit nga Lidhja për Mbrojtjen e Qytetarëve në Virxhinia.

Mes kërcënimeve për dhunë si dhe një pjesëmarrjeje të madhe, guvernatori Virxhias Ralph Northam që përfaqëson partinë Demokratike, shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një periudhë të përkohshme të mërkurën që ndalon mbajten e armëve në sheshin qëndror të Riçmondit gjatë tubimit të së hënës për të parandaluar “grupet e armatosura të mësyjnë në kryeqytetin tonë”, siç tha ai.

Grupet ekstremiste kanë mbushur median sociale dhe internetin me mesazhe kërcënuese e njoftimeve për dhunë.

FBI-ja ka arrestuar tre anëtarë të dyshuar të një grupi supremacistësh të bardhë të enjten, pjesërisht për shkak të shqetësimit se ata po planifikonin të nxisnin dhunë në tubim.

Dy dhomat e legjislaturës së shtetit të Virxhinias pritet të miratojnë kufizime të tjera që lidhen me armët, përfshirë ndalimin e armëve të sulmit si dhe ligje që synojnë marrjen e armëve nga ata njerëz që konsiderohen si rrezik për komunitetet.

Presidenti amerikan Donald Trump në një postim në twitter në mbështetje të tubimit shkruante: “kjo është ajo që ndodh kur votoni për demokratët, ata do t’ju heqin armët”. Përkrahësit e ligjeve më të rrepta mbi armët thonë se kjo do të ndihmojnë në zvogëlimin e numrit të njerëzve të vrarë çdo vit si pasojë e armëve./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA