Kryeministri grek Kyriuakos Mitsotakis gjatë një mesazhi televiziv pasditen e së mërkurës ka propozuar për postin e Presidentit të Republikës së Greqisë zonjën Ekaterini Sakellaropoulou. Dy muaj para se të mbarojë mandati i presidentit të sotshëm Prokopis Pavlopoulos , z.Mitsotakis bën një lëvizje të befasishme duke propozuar për herë të parë për këtë post në historinë e Greqisë, një grua.
“Termi qytetar është i gjinisë mashkullore, por demokracia, Greqia dhe progresi janë gjini femërore.Dhe ky fakt na fton të bëjmë një hap të madh. Vlerësoj se është momenti që vendi ynë të ketë në postin më të lartë një greke të denjë. Propozoj pra për President të Republikës ,kreun e Këshillit të Shtetit znj. Ekaterini Sakelaropulu”-tha Mitsotakis.
Zonja Sakelaropulu është Presidente e Këshillit të Shtetit, gjykatës më të lartë të vendit e propozuar në këtë post madje nga partia opozitare Syriza, kur ajo ishte në pushtet. Procedura e zgjedhjes së presidentit grek kalon nga parlamenti ku kandidati duhet të marrë në votimin e parë dhe të dytë të paktën 200 vota, në votimin e tretë 180 dhe në të fundit të paktën 151 vota nga 300 deputetët e parlamentit.
Në rast të kundërt do të kemi shpërndarjen e tij dhe zgjedhje të parakohëshme. Por kandidatura në fjalë sipas analistëve thuhet se do të përqëndrojë votat e duhura që në votimin e parë. Gjithsesi priten në ditët e ardhshme pozicionimet e partive të tjera dhe kandidatët e tyre. Votimi në parlament dhe zgjedhja e presidentit të ri do të zhvillohen në ditët e para të marsit.
Top Channel