Një nga investimet më të mëdha të Bashkisë Tiranë është edhe Bulevardi i Ri i Tiranës. Ky bulevard është menduar të realizohet në tre segmente, ku segmenti i parë është përfunduar dhe marrë në dorëzim nga bashkia Tiranë, ndërsa segmentet e tjera janë në punime e sipër nga kontraktuesi.
Por Fiks Fare ka arritur të dokumentojë vjedhjen që po i bëhet disa konstruksioneve metalik që përdoren për të ndarë rrugët e këmbësoreve me lulishtet që ka ky bulevard në segmentet ende në punim e sipër që nuk i janë dorëzuar ende bashkisë.
Ky konstruksion futet në tokë dhe shërben për të krijuar kufirin midis rrugës dhe lulishtes. Gjatësia e një konstruksioni të tillë shkon rreth tre metra gjatësi dhe peshë afro 13 kg. Këto konstruksione pas vjedhjes shiten për skrap.
Fiks Fare paraqiti me pamje se një pjesë e mirë e bulevardit të ri është zhveshur nga këto konstruksione metalike. Madje në disa pjesë ato janë gjysmë të hequra gati për t’u marrë e çuar për shitje. Me anë të kamerave të fshehura emisioni zbuloi mënyrën se si prona publike prishet, vidhet e më pas shitet në treg të zi për skrap.
Bashkëpunëtori i Fiks Fare bisedon me dy fëmijë të moshave 13 dhe 15 vjeçare banues të zonës të cilët frekuentojnë bulevardin, por edhe e vjedhin atë. Konstruksionet e shkëputura që u kapën nga vëzhgimi i Fiks Fare , merren nga këta dy adoleshentë dhe çohen në një pikë grumbullimi në rrugën “Jordan Misja” ku shiten për skrap. Kamerat e fshehta realizuar nga bashkëpunëtorët e Fiksit tregojnë qartë pamjen e dy grabitësve minoren me konstruksionet metalike në krah dhe pa u shqetësuar nga askush në mes të ditës, prishin pronën publike e më pas i shesin për hiç gjë.
Gazetarët e Fiksit nuk e lanë me kaq por shkuan edhe në pikën e grumbullimit të skrapit pikërisht aty ku u shiten konstruksionet metalike të hequra padrejtësisht nga Bulevardi i Ri.
Bashkëpunëtorët shohin në pikën e grumbullimit duke u hequr se kërkojnë të blejnë disa pllaka inoksi për t’i përdorur si fasheta. Dhe në pikën e grumbullimit blejnë pikërisht konstruksionet metalike të hequra nga bulevardi me një çmim prej 6 mijë lekësh të dyja konstruksionet e inoksit pasi bëhet peshimi i tyre.
Gazetarët u interesuan edhe në Bashkinë e Tiranës për problematikën e hasur, ku Drejtoresha e Investimeve znj. Ilda Qazimllari shprehet se ky është një problem serioz por jo i vetmi. ” Edhe në segmentin e parë që kemi marrë në dorëzim , para disa kohësh janë vjedhur mbi 100 spote ndriçuese që ndodhen nën pemë” shprehet Qazimllari. Ajo pohon gjithashtu se dëmtime në këtë rrugë janë shkaktuar edhe nga përdoruesit e mjeteve për të cilët kanë gjetur një zgjidhje, kurse në vjedhje e spoteve bashkia ka kërkuar ndihmë policisë. Vjedhjet e konstruksioneve që po bëhen në segmentet në pronësi të firmës ndërtuese, janë kosto për Bashkinë e Tiranës e cila e ka bërë njëherë investimin. Megjithëse sipas znj. Qazimllari nga ana e bashkisë po merren masa si instalimi i kamerave të sigurisë për të frenuar këtë fenomen. Në fund drejtoresha e investimeve pranë Bashkisë Tiranë bën një apel qytetarëve për ta mbrojtur pronën publike.
Rreth 27 milion euro është shuma e vënë në dispozicion për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, prej të cilave 6 milionë euro janë kostot e parkingut nëntokësor. Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur financimin e këtij projekti përmes një kredie të fondit Abu Dhabi. Ky projekt konsiston në ndërtimin e një bulevardi me gjatësi 1.8 kilometra dhe gjerësi 70 metra, që fillon nga ish stacioni i Trenit deri tek Lumi i Tiranës.
Top Channel