Ulja e ndjeshme e temperaturave gjatë natës e ka detyruar familjen Lasku me 7 pjesëtarë në Manëz të Durrësit të braktisë çadrën verore që ka në oborr dhe të hyjë në shtëpinë e pabanueshme.
Pas tërmetit të 21 shtatorit, kjo familje u detyrua të braktisë shtëpinë e mëparshme. Rruga që të çonte në banesën e tyre u shemb dhe mungesa e infrastrukturës i detyroi të marrin me qira këtë godinë të përshtatur në shtëpi te ish-reparti ushtarak. Tërmeti i 26 nëntorit i goditi dhe më fort.
Ekspertët ua shpallën të pabanueshme shtëpinë.
Të ftohtët i ka detyruar të kthehen në shtëpi. Me shpresën se dikush do të kujtohet për ta dhe t’i ndihmojë.
Në 5 njësitë vendore të bashkisë së Durrësit (Manëz, Ishëm, Katund i Ri, Sukth dhe Rrashbull) mbi 2300 persona ndodhen në çadra, ndërkohë që ka nevojë për 192 çadra dimërore që të zëvendësojnë ato verore.
Nënkryetari i bashkisë Durrës Florian Tahiri tregon mbi situatën e familjeve në çadra dhe hotele dhe thekson se dhe familjet e strehuara në çadra duhet të aplikojnë për bonusin e qirasë.
Vali Qyrfyci
Top Channel