Spitali Rajonal i Durrësit u përfshi nga flakët në orët e para të mesantës. Zjarri dhe tymi që përfshinë spitalin shënuan vetëm dëme materiale dhe persona të asfiksuar e në panik.
Zjarri ka rënë fillimisht në pavionin e neurologjisë dhe është përhapur në katet e tjera të spitalit ku ndodhen pavionet e tjera. I ndihmuar dhe nga efektivat e policisë, stafi i spitalit bëri evakuimin e pacientëve në pjesën e paprekur të godinës, ndërsa zjarrfikësit punuan në shuarjen e zjarrit. Në ndihmë kanë shkuar dhe banorë të zonës përreth spitalit.
Paraprakisht deklarohet se nuk ka të dëmtuar nga zjarri, po shumë pacientë kanë pasur probleme asfiksie të shkaktuara nga tymrat dhe djegja e kabllove. Dyshohet se zjarri u shkaktua nga mbingarkesa e rrjetit elektrik nga pajisjet e përdorura për ngrohjen e ambjenteve.
Një shkëndijë elektrike në një nga dhomat e pavionit, përmes një sistemi zinxhir ka bërë djegjen e kabllove elektrike dhe përhapjen e zjarrit e gazrave ndotës në katet e tjera të godinës. Zjarri përhapi panik edhe te familjarët e pacientëve.
Spitali i Durrësit nuk ka dalë ende me një informacion zyrtar mbi situatën emergjente të krijuar gjatë orëve të para të ditës së shtunë, ndërsa hetimet pritet të zbardhin më tej incidentin.
Pacientët janë sistemuar kryesisht në pavionet e kirurgjisë, reanimacionit dhe infektivit të spitalit, ndërsa për shkak të hetimit policia ka bllokuar godinën 4-tëshe, njëri krah i se cilës ështe dëmtuar dhe pa energji elektrike, ndërsa krahu tjetër është funksional.
Top Channel