Nga Dr.Arben Ramkaj
Tensionet e mëdha të ditëve të fundit mes SHBA-së dhe Iranit ditët e fundit, kanë lënë disi në hije disa zhvillime të rëndësishme gjeopolitike, që po ndodhin javët e fundit në Mesdhen Lindor. Para gati 10 vitesh në bregdetin jugor të Qipros, u zbuluan rezerva të mëdha të gazit natyror.
Dhe natyrisht një thesar i tillë natyror, ka një potencial të madh të nxisë konflikte. Kjo pasi Qipro, ishulli i tretë më i madh në Mesdhe, është i ndarë që nga viti 1974, në pjesën turke dhe atë qipriote. Sot që të dyja pjesët e ishullit, kanë pretendime për ta shfrytëzuar ekonomikisht fushën e pasur me gaz.
Pjesa greke e Qipros, i mbështet pretendimet e saj në të drejtën ndërkombëtare detare, kur çdo vend me qasje në det,ka të garantuar një Zonë Ekonomike Ekskluzive, e cila që shkon deri në 200 milje në det të hapur.
Por kjo rregullore është shumë e komplikuar në rastin e Qipros, pasi Ankaraja e konsideron pjesën turke të Qipros Veriore si një shtet sovran, ndaj pretendon Zonën e vet Ekskluzive Ekonomike.
Shpimet paralele për gaz, kanë qenë subjekt i tensioneve në rritje kohët e fundit sidomos mes Turqisë dhe Greqisë. Disa muaj më parë, Greqia, Egjipti, Izraeli dhe Qiproja Greke, nënshkruan një marrëveshje të përbashkët detare, duke e përjashtuar Turqinë, për të hartuar Zonat e tyre Ekskluzive Ekonomike në Mesdheun Lindor, duke filluar përpjekjet e tyre për eksplorim.
Ndërkohë në fillim të këtij viti Qipro Greke, Greqia dhe Izraeli, nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit “Eastmed”, 1900 km të gjatë, që synon të transportojë gazin e nxjerrë drejt Italisë, dhe prej andej në mbarë Evropën Perëndimore.
Turqia nuk ka qëndruar duarkryq ndaj kësaj alance, që dëmton interesat e saj strategjike dhe ekonomike.Më 27 nëntor të vitittë shkuar, ajo nënshkroi me një marrëveshje për kufirin detar me Qeverinë e Akordit Kombëtar të Libisë (GNA) të kryeministrit libian Fajez Al-Sarraj, me qendër në kryeqytetin Tripoli.
Ky pakt, është një sinjal i qartë për shtetet e tjera bregdetare në rajon, se loja e gazit nuk do të luhet pa miratimin e Ankarasë.Pakti Turqi-Libi, krijon de fakto një korridor përmes Mesdheut, duke përcaktuar si ujëra territoriale turke, edhe zonën pranë ishullit grek të Kretës.
Ky korridor, shtrihet pa ndërprerje përmes Mesdheut nga brigjet e Libisë deri tek ato turke. Gjerësia e korridorit është 30 km, duke e zgjeruar hapësirën territoriale turke, që tashmë shtrihet deri 10 kilometra nga brigjet e Kretës.
Marrëveshja, është pjesë e një pakti më të gjerë bashkëpunimi mes Turqisë dhe Libisë, sipas të cilit dy vendet angazhohen të bashkëpunojnë, me theks të veçantë në fushën ushtarake dhe atë të sigurisë. Trupat turke kanë zbarkuar tashmë në Libi, për ta ndihmuar qeverinë e Tripolit të vërë nën kontroll të gjithë territorin e vendit, që është zhytur prej prej një dekade në një kaos total.
Qeveria libiane, e njohur dhe mbështetur ndërkombëtarisht nga Organizata e Kombeve të Bashkara, po lufton kundër rebelëve të drejtuar nga gjenerali Khalifa Haftar, që kontrollojnë aktualisht lindjen e vendit.
Përpjekjet turke për stabilizimin e Libisë, janë shumë të rëndësishme për BE-në, pasi ato synojnëveç të tjerash të ndalin fluksin e refugjatëve, që kalojnë çdo vit përmes Mesdheut në Evropë.
Ndërkohë lëvizjet e muajve të fundit në Mesdheun Lindor, kanë krijuar një situatë mjaft të favorshme për Shqipërinë, qëka nuk ka arritur ende një marrëveshje me Greqinë për kufirin detar, pjesërisht edhe për shkak se nëedhe nëDetin Jon janë zbuluar rezerva të mëdha të gazit.
Bisedimet midis Tiranës dhe Athinës,përparuan shumë nën qeverisjen e majtë të SYRIZA.
Por rezultatet e negociatave, janë kontestuar hapur nga qeveria e re e djathtë e Kiriako Micotaqis. Në kushtet aktuale, ato mund të ndjekin dy rrugë, të përshpejtohen, ose të mbeten pezull për një kohë të gjatë pas zhvillimeve të fundit mes Greqisë, Libisë dhe Turqisë.
Qeveria e re greke, nuk ka dhënë deri më sot ndonjë sinjal direkt mbi këtë çështje. Por që prej tetorit 2019, kur Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu refuzua hapja e negociatave pas votes franceze, Athina ka ngritur më shumë se një herë zërin kundër këtij vendimi.
Kësisoj, Greqia duket se po merr një rol udhëheqës në rajon për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor përmes nismave të ndryshme, përfshirë këtu edhe samitin e fundit informal në Bruksel midis ministrave të Jashtëm të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria ndodhet në një pozicion të favorshëm ndërkombëtar, në rast se merret në mënyrë të përditshme me qasjet gjeopolitike rajonale. Konflikti në mesdhe për kufijtë detarë dhe betejën energjetike, kryesisht midis Turqisë Egjiptit dhe Greqisë, duhet të shfrytëzohet prej saj për të firmosur marrëveshjet e saj përfundimtare me Greqinë, në këmbim të çeljes së bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Athina nuk ka luksin që qëndrojë e bllokuar në dy fronte.
Përballë çështjes së vështirë të gazit në Qipro, ajo mund të dojë të zgjidhë njëherë e mirë çështjen e kufirit detar me Shqipërinë, pikërisht për të nisur sa më parë shpimet në Detin Jon. Vendi ka vetëm pak vite që ka dalë nga kriza financiare, dhe është i dëshpëruar për incentiva të reja që nxisin rritjen ekonomike.
Heshtja e Tiranës lidhur me këtë çështje në këtë moment, është jo vetëm e pajustifikuar, por edhe kundër produktive në raport me interesat tona kombëtare.Pasja ende e një morie problematikash të hapura me Greqinë, nuk duhet të pengojë kontaktet intensive në nivelet më të larta, për të eksploruar mundësinë e zgjidhjes së tyre.
Në kulmin e tensioneve mes Athinës dhe Ankarasë, kryeministri grek Micotaqis dhe presidentin turk Rexhep Taip Erdogan u takuan në Londër në fillim të dhjetorit, në kuadër të samitit të liderëve të NATO-s. Edhe pse kontestoi marrëveshjen Turqi-Libi si të paligjshme dhe të papranueshme, Micotaqis tha pas takimit se pavarësisht dallimeve, Greqia dhe Turqia mund të kapërcejnë dallimet e tyre për sa kohë që ata tregojnë një vullnet të mirë.
“Unë dua të siguroj popullin grek, se vështirësitë në marrëdhëniet tona me Turqinë kanë ekzistuar gjithmonë, ekzistojnë akoma dhe do të ekzistojnë. Por unë besoj se për sa kohë që të dy palët tregojnë vullnet të mirë, këto vështirësi mund të tejkalohen”-u shpreh Micotaqis.
Të njëjtën qasje, gjykoj se duhet të kemi edhe në lidhje me konfliktin ndërkombëtar midis SHBA-së dhe Iranit.Madje në këtë rast, prania e opozitës iraniane të MEK në Shqipëri,pavarësisht rreziqeve që mbart sidomos në momentet aktuale, është një “kartë” serioze, që duhet përdorur për t’u avancuar në pozicionin tonë në rajon.
Tirana i ka të gjitha mundësitë, dhe duhet të ushtrojë një presion pozitiv përkundrejt SHBA-së, për të avancuar rrugëtimin e saj evropian, por edhe të statusit përfundimtar të Kosovës, dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Dhe që ta bëjë këtë ajo duhet të ketë një zë të unifikuar, që kërkon politika vizionare të dakordësuara mes mazhorancës dhe opozitës. Shqipëria duhet të peshojë mirë rreziqet dhe oportunitetet që sjell prania e MEK në Shqipëri. Lideri Suprem i Iranit, na cilësoi pak ditë më parë “një vend i vogël dhe djallëzor”,pikërisht për shkak të strehimit të grupimit opozitar iranian.
Kjo gjuhë është haptazi kërcënuese, edhe pse më herët, sikurse u zbulua fatmirësisht në kohë, Irani ka synuar të komplotojë sulm terroriste në territorin shqiptar, ashtu sikurse ka bërë në shumë vende të botës. Natyrisht, si anëtare e NATO-s prej 11 vitesh, Shqipëria është nën ombrellën mbrojtëse të aleancës.
Por në rastin konkret, ajo dhe jo të tjerët, ka marrë në sy rreziqet e qarta që vijnë nga strehimi i anëtarëve të MEK.
Për këtë arsye, ajo duhet të shfaqet si një lojtare e vogël, por e shkathët në arenën ndërkombëtare. Diplomacia bazohet në disa parime, por udhëhiqet ama nga interesat e shteteve. Ndaj këto interesa nuk duhen anashkaluar.
Marrja për herë të parë në histori e presidencës së OSBE nga Shqipëria këtë vit, mund të shfrytëzohet shumë mirë për tëlobuar fort nëdrejtim të përshpejtimit të integrimit evropian të vendit, por edhe forcimit të staturës së saj në rajon.
Por në rast se diskutimi mbi kursin e politikës së jashtme,nuk do të jetë po aq intensiv, të paktën në këto kohë,sikurse është debati ynë në politikën e brendshme, atëherë është e sigurtë që këto shanse dhe resurse, do të na shndërrohen shumë shpejt në një faturë të rëndë, të cilën nuk e mbartim dot si një komb i vogël në rajon.
Top Channel