Nga Turqia vjen ndihma e parë konsistente për përballimin e dëmeve nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.

Janë 500 banesa që do të ndërtohen në zonën e Laçit, për banorët që kanë humbur shtëpitë pikërisht në Laç dhe Thumanë. Pas takimit me ministrin turk të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, ministri shqiptar për rindërtimin Arben Ahmetaj tha se projekti, shkon përtej ndërtimit thjesht të banesave për strehim, por merr formën e një poli të ri zhvillimi urbano-ekonomik.

“Projekti ka rreth 500 banesa për qytetarët që kanë humbur banesat në Laç dhe në Thumanë, shoqëruar me ambiente komerciale dhe me dy ambiente të rëndësishme publike, shkollën dhe ndërtesën e bashkisë. Është një konceptim urbanistik dhe teknologjik që do t’i mbijetojë kohës në kuptimin e stilit, të zhvillimit urbanistik dhe zhvillimit ekonomik dhe do të jetë nga ana teknologjike një risi që mund të kthehet në model edhe për projektet e tjera. Ky është një model i mirëfilltë zhvillimi në aspektin e ndërtimit në termat e zhvillimit urbanistik dhe ekonomik. Dua të ndaj disa detaje të projektit dhe punës së bërë në nivel teknik deri tani, sepse ndonëse është ende herët, puna për rindërtimin tashmë ka filluar”, shprehet Ahmetaj.

Projekti me Turqinë pritet të përfundojë rreth muajit korrik, ndërkohë që mbështetja do të vazhdojë, thotë ministri turk, Murat Kurum.

“Ekipet tona janë në terren për të përcaktuar ndërtesat e dëmtuara dhe kanë dhënë ekspertizë për 6000 objekte. Ne në do të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi për këtë proces ku do të angazhohen agjencitë e banesave sociale. Kjo agjenci në Turqi ofron ndihma brenda dhe jashtë vendit”, thotë Murat Kurum.

Ndërkohë qeveria shqiptare thotë se po studion zona të tjera për projekte të tilla në Tiranë, Durrës, Kavajë dhe Lezhë.

Plani është që brenda vitit, tha Ahmetaj, të gjitha familjet në fshat të jenë brenda shtëpive dhe deri në pranverën e vitit të ardhshëm të gjithë ata që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti të futen nëpër banesat e lagjeve të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA