Prodhimet vendase ushqimore konkurrohen nga ato të importit të cilat vijnë me çmim më të lirë.

Pasojat i vuajnë fermerët vendas të cilët ngritën shqetësimin se qumështi i tyre nuk blihet sepse përpunuesit e blejnë atë në serbi, ndërsa rritësit e qingjave po konkurrohen nga bullgaria dhe Rumania. Po cila është arsyeja që prodhimet shqiptare kanë kosto më të lartë. Eksperti Ndoc Fasllia thotë se sekreti është te subvencionet.

“Është një prodhim i subvencionuar. Vijmë tek sektori blegtoral në Serbi jepen 166 euro për kokë lopë, 200 euro për çdo kokë lopë racë e pastër. Jepet subvencion 0,06 euro për litër qumësht. Si dhe subvencion për prodhimin që vjen nga fusha në total mbi 100 euro”, shprehet Ndoc Fasllia.

Por në Shqipëri çfarë ndodh?

“Prodhuesi blegtoral merr 0 lekë për kokë lopë, zero lek për hektar, 10 lekë për litër qumësht të dorëzuar në pikat e grumbullimit. Gjithsej 30 mijë lek të reja për kokë lopë në vit.

Fermeri i Fushës merr 0 lekë për hektar për mbjellje, 0 lek për plehrat kimike dhe 0 lekë për karburantin. Gjithsej zero lekë për hektar”.

Për pasojë qumështi serb është i pakonkurueshëm.

“Kostoja e llogaritur për litër qumësht sot shkon rreth 300 lekë të vjetra. Ndërsa tek grumbulluesi çmimi i shitjes është 320-350 lekë të vjetra. Ndërkohë në Serbi kostoja e çmimit për litër qumësht shkon 150 lekë”, shprehet Fasllia.

Sipas ekspertëve për të konkurruar prodhimet serbë, duhet që ministria e bujqësisë të kujdeset për fermerët dhe jo vetëm për përpunuesit.

“70% e financimeve në Serbi jepen për prodhimin fermat blegtorale, fermat e fushës dhe 30 për agroindustrinë. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Shqipëria e cila ka fabrika përpunimi që janë në gjendje për të përpunuar gjithë qumështit e rajonit përsëri financohen nga shteti”, shton më tej ai.

/Rudina Muça/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA