Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, presidenti i Republikës, Ilir Meta u pyet sa i takon marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë; nëse duhet të shërbejë tërmeti dhe solidariteti i shfaqur nga ana e qytetarëve të Kosovës si një rast për të thelluar bashkëpunimin dhe për të larguar barrierat që vështirësojnë lëvizjen e shqiptarëve.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve tona duhet të jenë më komplementare me njëra-tjetrën. Shqipëria dhe Kosova duhet të plotësojnë të gjitha boshllëqet apo mangësitë që vijnë për shkak të karakteristikave të ndryshme të potencialeve apo të burimeve të zhvillimit ekonomik. Në këtë drejtim duhet të krijojmë sa më shumë lehtësira. Ju e dini qëndrimin tim për taksën e Kalimashit. Kjo është një taksë mjaft e gabuar dhe dekurajuese, duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm është për Shqipërinë dhe për Kosovën ky qarkullim pa pengesa midis qytetarëve tanë. Por edhe për tregtinë, po të kemi parasysh se sa e kushtueshme është sidomos për të vënë në funksion të Kosovës edhe portet e Shqipërisë në të ardhmen. Më vjen keq kur konstatoj se mes dy vendeve tona ka aq shumë marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, por që për fat të keq janë ende shumë larg konkretizimit të tyre. Shqipëria dhe Kosova në të gjitha fushat duhet të forcojnë pa më të voglin hezitim bashkëpunimin dhe të rrëzojnë të gjitha barrierat administrative dhe burokratike. Kjo është në interesin reciprok të të dy vendeve që kanë vetëm një aspiratë: bashkimin e tyre në Bashkimin Europian.

“Epoka e re”: Cili është qëndrimi juaj për nismën e  ashtëquajtur “Mini-Shengen” dhe si i vlerësoni deklaratat e kryeministrit Rama për figurat kryesore politike të Prishtinës?

“Çdo platformë rajonale bashkëpunimi, që është gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese, që udhëhiqet nga partneriteti dhe jo paternalizmi, që sjell kohezion dhe jo konfuzion, e aq më tepër përçarje, dhe që ka vetëm për qëllim integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është e mirëpritur. Ky duhet të jetë një parakusht për të promovuar dhe konsideruar iniciativa rajonale premtuese dhe të dobishme. Çdo iniciativë që provokon debate të panevojshme nuk e ndihmon bashkëpunimin tonë. Askush nuk ka pse keqpërdoret për të defaktorizuar Kosovën. Prishtina ka udhëheqësit e saj të zgjedhur me votën e qytetarëve të saj. Shqipëria, për fat të keq, nuk ka se çfarë t’i mësojë Kosovës, as sa i përket shtetit ligjor, as sa i përket zgjedhjeve e pluralizmit politik, apo qoftë sa i përket demokracisë. Shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira.”

“Epoka e re”: Në Kosovë, edhe disa muaj pas zgjedhjeve ende nuk janë formuar institucionet e reja? Cili është mesazhi juaj për dy fituesit e këtyre zgjedhjeve VV dhe LDK?

“Si fitues të zgjedhjeve parlamentare, uroj që Lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në partneritet dhe përgjegjshmëri të vendosin sa më parë për krijimin e institucioneve të reja qeverisëse. Kosova i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull i mirëqeverisjes në rajonin tonë.”

“Epoka e re”: Cili është urimi juaj për Shqipërinë dhe për Kosovën për vitin 2020?

” Uroj për një Shqipëri me negociata të çelura me Bashkimin Europian, dhe për një Kosovë pa regjim vizash me BE-në, shumë më pranë saj dhe NATO-s.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA